Policia ka privuar nga liria gjashtë persona dhe ka thirrur një tjetër për bisedë zyrtare, pasi në rrjetet sociale u publikua një video me të shtëna armësh gjatë një feste familjare në Dobërdoll të Gostivarit.
Të lidhura
None found
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë bëri të ditur se në disa adresa të këtij fshati janë zhvilluar bastisje, gjatë të cilave u sekuestruan armë, municion dhe gëzhoja.
Kontrollet e para, sipas policisë, u kryen në banesat e I.S. (21), A.I. (30) dhe I.B. (25), që të tre banorë të Dobërdollit.
Në shtëpinë e A.I., efektivët gjetën dhe konfiskuan një pistoletë me gaz.
Gjatë një kontrolli tjetër, të realizuar në shtëpinë e B.A., u zbuluan 30 fishekë për pistoletë me gaz. Në oborr u sekuestruan gjithashtu 27 gëzhoja të qitura nga një pistoletë me gaz, si dhe një fishek për armë gjahu. B.A. (46) dhe djali i tij, M.A. (21), u privuan nga liria.
Bastisje u zhvillua edhe në shtëpinë e T.M. (26). Atje policia konfiskoi një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjuetie me shtatë fishekë dhe një pistoletë me gaz. Pas kontrollit, T.M. u ndalua, kurse S.M. u thirr për bisedë zyrtare.
Të gjithë të privuarit nga liria janë shoqëruar në stacionin policor. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj tyre do të paraqiten kallëzimet përkatëse.
