Për katër netë radhazi, Çarshia e Vjetër e Shkupit do të shndërrohet në epiqendrën e një sërë aktivitetesh të larmishme, duke pasuruar kalendarin kulturor kombëtar. Kështu bëjnë të ditur përfaqësuesit e VLEN përmes një komunikate zyrtare.
Të lidhura
None found
Me edicionin e tij të parë, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia” hap një kapitull të ri, ku kultura pozicionohet si shtyllë e zhvillimit, e identitetit dhe e promovimit të kryeqytetit përtej kufijve.
Nëpërmjet përfshirjes së institucioneve dhe artistëve të spikatur, po hidhen themelet e një tradite që synon ta kthejë Çarshinë e Vjetër në një nyje të rëndësishme të artit dhe kulturës në tërë rajonin.
Prania e emrave të shquar të skenës artistike, si Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti, krahas institucioneve kompetente, provon se me një vizion të qartë dhe vullnet të fortë, Shkupi mund të mirëpresë evenimente që përmbushin standardet ndërkombëtare. I gjithë ky eveniment nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e të parit të Çairit, Izet Mexhiti, i cili me angazhimin e tij po i jep Çarshisë një vitalitet dhe një frymë të re. Ky është thjesht fillimi i një tradite që pritet të forcohet vit pas viti.
VLEN rikonfirmon se angazhimi i saj është që kultura të mos trajtohet si një element dekorativ i politikës, por si një prioritet i mirëfilltë zhvillimi. Sepse të investosh në kulturë do të thotë të investosh në identitetin, turizmin, ekonominë dhe të ardhmen e vendit.
Sipas tyre, manifestimi “Çarshia” është prova konkrete se me vizion, punë dhe përkushtim mund të ndërtohen vlera të qëndrueshme. Ky festival shënon një fitore për kulturën, për artistët dhe për të gjithë qytetarët.
