Përmes një deklarate për mediat, përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Besar Durmishi, kritikoi ashpër kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, duke e akuzuar se nuk ka treguar të vërtetën rreth zhvillimeve pas Marrëveshjes së Ohrit dhe përcaktimit kushtetues të gjuhës shqipe.
Të lidhura
None found
Durmishi iu referua qëndrimeve të fundit të Gëzim Ostrenit, një prej figurave të rëndësishme të vitit 2001. Sipas tij, Ostreni ka deklaruar se gjuha shqipe nuk u përmend me emër, por mbeti e përfshirë pas formulimit “20 përqindëshi”.
Përfaqësuesi i VLEN-it kërkoi gjithashtu shpjegime se si Ali Ahmeti kaloi nga kërkesa për krijimin e një shteti dygjuhësor shqiptaro-maqedonas në pranimin e kompromiseve që, sipas Durmishit, dëmtuan emërtimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë.
Ai deklaroi se BDI-ja e ka shfrytëzuar Marrëveshjen e Ohrit si mbrojtje politike për të fshehur dështimet, korrupsionin dhe marrëveshjet e bëra në dëm të shqiptarëve gjatë dy dekadave të fundit. Durmishi nënvizoi se marrëveshja është fryt i sakrificës së popullit dhe nuk mund të konsiderohet pronë private e askujt.
Durmishi tha se politika e re nuk duhet të vazhdojë të mbrojë mitet e së kaluarës, por ka përgjegjësinë t’u paraqesë shqiptarëve të vërtetën. Sipas tij, VLEN po ndërmerr hapa konkretë për zgjidhjen e këtyre çështjeve, duke e kthyer përfaqësimin e drejtë nga parim në ligj dhe duke vendosur decentralizimin në qendër të prioriteteve shtetërore.
