Ministrja Vesna Janevska deklaroi se zhvillimi i mësimit gjatë ditëve me temperatura të larta duhet të bëhet në përputhje me protokollin për veprim në kushte të tilla. Ajo sqaroi se protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe u janë përcjellë të gjitha shkollave, duke iu përgjigjur pyetjes nëse orët mësimore do të shkurtohen për nxënësit.
Të lidhura
None found
Janevska tha se ndryshimet klimatike janë një realitet të cilit nuk mund t’i shmangemi, ndërsa temperaturat e larta përbëjnë sfidë për fëmijët në Evropë dhe në mbarë botën.
Sipas saj, kjo situatë nuk nënkupton ndërprerjen e procesit mësimor. Drejtuesit e institucioneve arsimore dhe mësuesit duhet t’i përshtatin aktivitetet me kushtet e motit. Në rast të temperaturave të larta, edukata fizike mund të zëvendësohet me pushim, art figurativ, muzikë ose veprimtari të tjera.
Protokollet përcaktojnë gjithashtu kohën kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret, si dhe aktivitetet që mund të zhvillohen nga nxënësit gjatë ditëve të nxehta.
E pyetur për pajisjen e shkollave me kondicionerë, ministrja tha se ato do të sigurohen atëherë kur shteti të ketë mundësi t’i pajisë të gjitha institucionet arsimore.
“Po veprojmë sipas prioriteteve dhe po bëjmë shumë. Besoj se në një periudhë të afërt nuk do të përballemi me një sfidë të tillë”, shtoi Janevska.
