BDI ka reaguar lidhur me marrëveshjen e bërë publike nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, për nxënësit shqiptarë të Sh.F. “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel.
Të lidhura
None found
Sipas partisë, marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Butelit parashikon që fëmijët nga Çairi, të cilët jetojnë pranë kësaj shkolle, të regjistrohen në klasat e para vetëm nëse kanë një vëlla ose motër që vijon mësimin në të njëjtin institucion. BDI thekson se, paralelisht me këtë, nuk është paraparë hapja e një paraleleje të re në gjuhën shqipe.
“Kjo nuk përbën zgjidhje, por një mekanizëm për kufizimin dhe kushtëzimin e së drejtës së fëmijëve shqiptarë për të mësuar në gjuhën amtare”, deklarojnë nga BDI.
Partia pyet se përse një fëmijë shqiptar duhet të ketë patjetër një vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë, në mënyrë që të fitojë të drejtën e regjistrimit.
BDI vlerëson se e drejta për arsim në gjuhën shqipe nuk mund të përcaktohet nga rrethanat familjare të nxënësit dhe kërkon të dijë se cila është baza e një kriteri të tillë, që sipas saj po përdoret për të ulur numrin e nxënësve shqiptarë.
Nëse numri i të interesuarve është i mjaftueshëm për krijimin e një paraleleje në gjuhën shqipe, institucionet duhet të sigurojnë kushtet për hapjen e saj. Sipas BDI-së, vendosja e filtrave dhe kërkesave shtesë, të cilat nuk zbatohen në mënyrë të barabartë, nuk mund të jetë zgjidhje.
BDI thekson se çështja ka të bëjë me fëmijë që do të ndjekin klasën e parë dhe se nisja e arsimit duhet t’u garantohet si e drejtë, jo t’u nënshtrohet një procedure përjashtuese, diskriminuese apo të kushtëzuar.
Partia i kërkon Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Butelit të bëjnë publik numrin e saktë të fëmijëve shqiptarë që kanë aplikuar për regjistrim, si dhe kriteret e përdorura gjatë përzgjedhjes. Gjithashtu, kërkohet garantimi i regjistrimit për të gjithë nxënësit që plotësojnë kushtet ligjore, hapja e një paraleleje në gjuhën shqipe nëse numri i nxënësve e arsyeton një gjë të tillë dhe ndalimi i çdo praktike që kufizon, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të drejtën për arsim në gjuhën shqipe.
“Arsimi nuk është privilegj që jepet përmes marrëveshjeve politike. Ai është e drejtë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
