Bashkimi Demokratik për Integrim i kërkon kryetarit të Bashkisë së Shkupit të heqë pa vonesë tabelën e mirëseardhjes dhe ta ndërrojë me një version që përputhet tërësisht me detyrimet ligjore ndaj gjuhës shqipe.
Të lidhura
None found
Sipas BDI-së, Bashkia e Shkupit po vijon të shpërfillë dygjuhësinë dhe natyrën multietnike të kryeqytetit, megjithëse qytetarët dhe opinioni publik kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi.
“Mospërfshirja e shqipes në një tabelë zyrtare përbën jo thjesht një shkelje të ligjit, por një veprim që gjeneron ndjesinë e përjashtimit dhe nxit tensione të kota ndëretnike. BDI nuk do të pranojë që zbatimi i gjuhës shqipe të kushtëzohet nga dëshira politike e një personi të vetëm. Për këtë qëllim, ne do të iniciojmë një proces gjyqësor pranë organeve përkatëse për të vërtetuar dhe ndëshkuar këtë shkelje.”
“Duke marrë parasysh zërin e qytetarëve dhe rëndësinë e ruajtjes së harmonisë, ne i drejtohemi sërish kryetarit të Shkupit që të tregohet i përgjegjshëm, të zbatojë ligjin dhe të mos krijojë ndasi, urrejtje apo tensione etnike në kryeqytet. Shkupi është i të gjithë banorëve të tij. Gjuha shqipe s’është as favor dhe as zbukurim, por një e drejtë e mbrojtur me ligj. Tabela e jashtëligjshme duhet të hiqet pa asnjë vonesë,” theksojnë nga BDI./Telegrafi/
