Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka deklaruar se një rikonstruim i Qeverisë dhe angazhimi në procese të tilla nuk do të kishin kuptim në rast se do të planifikoheshin edhe zgjedhje të parakohshme.
Në një paraqitje në “Click Plus” në “TV21”, Aliu tha se bashkë me partnerët e koalicionit duhet të përqendrohen në periudhën dyvjeçare deri në zgjedhjet e rregullta, me synim mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura, pasi sipas tij përpara ka sfida të mëdha që kërkojnë zgjidhje.
Të lidhura
None found
“Nuk do kishte qenë e logjikshme të bëhen këto ndryshime dhe e gjithë kjo energji të harxhohet nëse do të kishim projektuar zgjedhjet të parakohshme parlamentare. Të gjitha këto proceset që janë të hapura presim që të ketë impakt më të madh në shoqëri si në aspektin ekonomik edhe në aspekt të mirëqenies së qytetarëve. Për këtë arsye riorganizohemi brenda për brenda që rezultatet të jenë më të dukshme, më të shpejta dhe çdo lëvizje tjetër për riorganizim aktiviteteve politike nuk do të kishin pasur asnjë logjik nëse do të kishim shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi e dini që tre muaj para duhet të kemi Qeveri teknike, pra ngushtohet hapësira jo vetëm në aspekt të zgjedhjeve të parakohshme, por 6 muaj para saj qeveria është gjysmë pasive. Ne kemi sfida shumë të mëdha, kemi kërkesa të cilat janë reale dhe të logjikshme që do të duhet që t’i japim zgjidhje dhe kjo periudhë dy vjeçare duhet të fokusohemi dhe t’i përmbyllim të gjitha proceset që janë të hapura”, deklaroi Aliu.
Ai u ndal edhe te provimi i jurisprudencës, për të cilin tha se VLEN tashmë ka një zgjidhje. Sipas tij, 70 për qind e provimit, që përfshin pjesën teorike, do të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike do të jepet në gjuhën maqedonase.
Aliu nënvizoi se po përpiqen të ndërtojnë zgjidhje që mbështeten në infrastrukturën juridike të vendit, në mënyrë që në të ardhmen të shmangen probleme me Gjykatën Kushtetuese dhe me gjykata të tjera.
“VLEN u ul nga dita e pare, e detektoi momentin dhe sfidat edhe juridike dhe politike për ta zgjidhur këtë problem dhe tani ekziston zgjidhje në përputhje me ligjet dhe infrastrukturën juridike në shtet që nesër mos të kemi probleme në kushtetuese dhe gjykata që të ngritën çështje është ose nuk është kushtetuese”, tha Aliu.
