Julian Alvarez, sulmuesi argjentinas që ndiqet nga Arsenal, Barcelona dhe Real Madridi, ka bërë të qartë se gjatë kësaj vere është i gatshëm të largohet nga Atletico Madridi për të realizuar ëndrrën e tij. Edhe pse ndodhet aktualisht me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Botës, ai duket i vendosur për të ndryshuar ambient.
Pas triumfit të Argjentinës ndaj Austrisë, Alvarez e pranoi publikisht mbrëmë dëshirën për t’u larguar, ndonëse sinjalizoi se para përfundimit të Kupës së Botës nuk pritet të mbyllet ndonjë marrëveshje.
Të lidhura
None found
“Nuk është koha për të folur për këtë, por nuk mund ta fsheh. Po përpiqem të jem i sinqertë. Kam folur me njerëz në Atletico Madrid dhe mendoj se një transferim është zgjidhja më e mirë për të gjithë. Dua ta përmbush ëndrrën time”, u tha Alvarez gazetarëve.
26-vjeçari, i cili ka fituar gjithçka me River Plate, City dhe Argjentinën, synon të kalojë te një skuadër ku mund të sigurojë trofe të tjerë.
Atletico Madridi e transferoi Alvarezin nga Manchester City dy vjet më parë për 75 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe, ai ka realizuar 49 gola dhe ka dhënë 17 asistime në 106 paraqitje, por pa arritur të fitojë ndonjë trofe.
Mësohet se “ëndrra” e tij është Barcelona, por raportet mes dy klubeve janë acaruar. Klubi katalanas ka tentuar tashmë ta afrojë Alvarezin, mirëpo oferta prej 100 milionë eurosh është hedhur poshtë.
Madje, Atletico Madrid ka paralajmëruar se mund ta padisë Barcelonën për mënyrën si i është afruar lojtarit, ndërsa ka bërë të ditur se sulmuesi mund të largohet vetëm nëse paguhen 500 milionë euro.
“Nuk ka asnjë shumë për të cilën Barca mund ta blejë Julian Alvarez. Ai nuk do të transferohet te Barcelona”, tha Atletico për gazetën AS, e cila citoi një burim nga klubi: “Ose do të paguajnë klauzolën e blerjes prej 500 milionë eurosh ose nuk do të ketë asgjë nga marrëveshja”.
Alvarez është i lidhur me një kontratë katërvjeçare, ku përfshihet edhe klauzola e lartpërmendur e lirimit. Kishte pasur raportime se Atletico do të pranonte ta shiste për 150 milionë euro, por ato dolën të pavërteta.
