Si të krijoni një marrëdhënie besimi me partnerin tuaj

Një marrëdhënie, veçanërisht afatgjatë, kalon nëpër sfida ose periudha të ndryshme krize, të cilat sigurisht nuk mund të kapërcehen duke pasur përherë dyshime.

Besimi është ai që jep siguri dhe e afron çiftin, duke vepruar si një “ngjitës”.

Çfarë mund të bëni për të ndërtuar një marrëdhënie besimi midis jush dhe partnerit tuaj?

– Mbani për vete atë që partneri juaj ju tregon në mënyrë konfidenciale. Nëse u tregoni miqve tuaj se çfarë ai ka ndarë me ju, besimi shkatërrohet.

– Mos u mbështetni në email, thirrje telefonike dhe mesazhe për të komunikuar me partnerin tuaj. Merrni kohë për të komunikuar ballë për ballë. Komunikimi do t’ju ndihmojë të ndërtoni një ndjenjë më të madhe sigurie pasi gradualisht do të hapeni dhe “ekspozoheni” më shumë përpara njëri-tjetrit.

– Mendoni për interesat e partnerit tuaj. Sa më shumë që bëni për të, aq më shumë ai do të dijë se është i rëndësishëm për ju dhe se ju me të vërtetë kujdeseni për dëshirat e tij. Nëse partneri juaj ndjen se mund të mbështetet tek ju, do të jetë shumë më lehtë për të që të ndajë me ju aspektet më të prekshme të vetvetes.

– Mbani premtimet e vogla që bëni. Për shembull, nëse thoni se do të telefononi ose do të jeni diku në një kohë të caktuar, bëjeni! Veprimet e vogla ndihmojnë në krijimin e një themeli të fortë të besimit.

– Mësoni të kërkoni falje nëse bëni një gabim ose zhgënjeni partnerin tuaj. Një falje autentike duhet të jetë e sinqertë dhe nga zemra juaj. Për të qenë vërtet serioze, merrni përgjegjësi për veprimet tuaja dhe sigurojeni partnerin se e kuptoni sesi e kanë ndikuar veprimet tuaja./albeu.com

Shtuar 8.05.2021 14:37