Marrëdhënia mes motrave dhe vëllezërve, sidomos kur karakterizohet nga besimi dhe afërsia emocionale, mund të jetë ndër lidhjet më të fuqishme që zgjasin gjatë gjithë jetës. Këtë e tregon një studim i botuar në Journal of Relationships Research.
Të lidhura
None found
Studiuesit kanë konstatuar se raporti me motrën ndikon drejtpërdrejt në rritjen e bashkëpunimit dhe në pakësimin e konflikteve, edhe kur llogaritet roli i prindërve dhe i miqve. Gjetjet nënvizojnë gjithashtu se motrat dhe vëllezërit mund të mbeten një mbështetje e rëndësishme emocionale edhe gjatë moshës së rritur.
Në një hulumtim tjetër, ku morën pjesë mbi 600 të rritur, çiftet motër-motër i përshkruan marrëdhëniet e tyre si më të ngrohtat në krahasim me kombinimet e tjera mes motrave dhe vëllezërve. Lidhjet e afërta ndërmjet motrave u shoqëruan edhe me më pak ndjenjë vetmie dhe me një nivel më të lartë të mirëqenies psikologjike, transmeton Klankosova.tv.
Sipas ekspertëve, një afërsi e tillë lidhet me faktin se motrat zakonisht komunikojnë më shpesh, rrëfejnë përvoja personale dhe i japin njëra-tjetrës mbështetje emocionale në etapa të ndryshme, që nga fëmijëria e deri në pleqëri. Sidoqoftë, cilësia e këtij raporti përcaktohet nga dinamika brenda familjes, përjetimet e përbashkëta dhe mënyra se si marrëdhënia është formuar ndër vite.
Përfundimet e studimeve mbështesin idenë se një raport mes motrave, i ushqyer me komunikim, respekt dhe besim, mund të shndërrohet në një nga lidhjet më të qëndrueshme dhe më përkrahëse në jetën e njeriut.
