Ditën e sotme, prokuroria e Tiranës ka vendosur 11 urdhër arreste, ku një prej tyre është pikërisht për zjarrfikësin Ndiçim Harka.
Ndriçim Harka, punonjës i shërbimit zjarrfikës të Bashkisë, është arrestuar tashmë nga policia, teksa kunati i tij Edmond Merkja është shpallur në kërkim.Lidhur me këtë operacion, ka reaguar edhe deputeti i PD, Gazment Bardhi i cili thotë se punonjësi i ndaluar, rezulton të jetë në listat e patronazhiostëve.
Sipas Bardhit, ky është kriminalizimi i politikës dhe shton se ky person ka blerë votat për PS-në gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit. Bashkangjitur me postimin e tij, ai ka publikuar edhe një listë me emra, me patronazhistë, mes të cilëve, sipas Bardhit, çshtë edhe punonjësi i zjarrfikëses i arrestuar ditën e sotme.
Gazment Bardhi:
Ndalohen dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi. Arrestohet për trafik droge një punonjës i zjarrëfikëses në Tiranë dhe rezulton të jetë patronazhist i PS-së . Ky është kriminalizimi i politikës, kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit, kështu u pengua ndryshimi që njerëzit donin, me trafikantë droge e paratë e pista të drogës. Zhbërja e kësaj padrejtësie është dhe do të mbetet misioni ynë. Ne nuk do të ndalemi në betejën tone kundër kësaj pakice që përdor çdo mjet për të tjetërsuar vullnetin e lirë të shqiptarëve. Me shumicën e qytetarëve ne do të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend.