Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se operacionet kundërsulmuese të ushtrisë ukrainase në frontin e luftës janë duke u zhvilluar, por ai nuk specifikoi se në çfarë faze janë këto operacione.
“Veprimet kundërsulmuese dhe mbrojtëse janë duke u zhvilluar në Ukrainë dhe nuk do të flas për to në detaje”, theksoi Zelensky në një konferencë për shtyp.
“Ju duhet t’u besoni ushtarëve tanë dhe unë u besoj atyre,” shtoi ai.
Sot, Serhii Tserevaty, një zëdhënës i komandës ushtarake të Ukrainës Lindore, tha se forcat ushtarake ukrainase arritën të avancojnë 1,400 metra rreth qytetit të dëmtuar të Bakhmut në lindje.
“Ne po përpiqemi t’i japim goditje armikut, po kundërsulmojmë. Arritëm të përparojmë deri në 1400 metra në pjesë të ndryshme të frontit”, tha zëdhënësi i Komandës Ushtarake Lindore të Ukrainës kur u pyet për luftimet pranë Bakhmut.
Dje, presidenti rus Vladimir Putin tha se Ukraina ka nisur kundërofensivë të madhe të shumëpritur kundër ushtrisë ruse. Ushtria ruse ka raportuar sulme në shkallë të gjerë kryesisht në frontin jugor gjatë gjashtë ditëve të fundit.
Putin, megjithatë, argumentoi se ushtria ukrainase kishte dështuar në “arritjen e objektivave të saj” gjatë këtyre sulmeve dhe kishte pësuar viktima të shumta.
Autoritetet ukrainase, nga ana e tyre, duket se po minimizojnë shtrirjen e luftimeve në front në ditët e fundit dhe nuk po detajojnë strategjinë e tyre.