Zbardhen 8 vjedhje në Vlorë, arrestohen dy “skifterët”

Policia e Vlorës ka zbardhur 8 raste të vjedhjes së shumave të ndryshme të parave dhe sendeve me vlerë të ndodhura gjatë muajit janar.

Në kuadër të operacionit policor të kodyar “Storm”, janë vënë në pranga dy persona, si autorë të dyshuar të këtyre vjedhjeve.

Policia njofton se vuri në pranga shtetasit E. M., 37 vjeç dhe M. L., 34 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi A. R., 33 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, gjithashtu i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të disa ngjarjeve në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, të ndodhura gjatë muajit janar 2023, konkretisht:

– Më datë 01.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit K. B;

– Më datë 15.01.2023, në lagjen “Pavarësia”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. C., disa pajisje elektroshtëpiake;

– Më datë 19.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në lokalin e shtetasit E. B., një televizor;

– Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetases E. D., produkte të ndryshme ushqimore;

– Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit Xh. Z., steka me cigare dhe një shumë parash;

– Më datë 22.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit H. A., një shumë parash dhe bizhuteri;

– Po më datë 22.01.2023, në lagjen “Osman Haxhiu”, dyshohet se kanë vjedhur një biçikletë;

– Më datë 23.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit F. H., steka me cigare dhe një shumë parash.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa pajisje që dyshohet se këta shtetas i kanë vjedhur më parë.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas, si dhe për kapjen e shtetasit A. R.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/


Shtuar 24.01.2023 15:07