Lufta në hije e Joe Biden në Ukrainë

Nga Jon Sweet & Mark Toth “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në romanin e tij të vitit 1998 “Përplasja e mbretërve”, George RR Martin përshkruan shumë saktë hendekun që ekziston sot midis vendosmërisë së presidentit rus Vladimir Putin për të zhvilluar një luftë totale në Ukrainë dhe hezitimit të Perëndimit për t’iu kundërpërgjigjur me vendosmëri.

Siç vuri në dukje Martin “Fuqia qëndron vetëm aty ku njerëzit besojnë se qëndron”, shpeshherë thjesht si “një hije mbi mur”. Megjithatë edhe “hijet imagjinare mund të vrasin, dhe shpesh një njeri shumë i shkurtër mund të bëjë një hije shumë të madhe”. Në mënyrë alegorike, ky njeri shtatshkurtër është Vladimir Putin.

Shumë respekt, për të mos thënë frikë, po tregohet ndaj tij dhe Rusisë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO. Me sa duket Perëndimi është ndonjëherë shumë i shqetësuar për atë që mund të bëjë Rusia, përkundrejt asaj që po bën aktualisht në fushat e betejës anembanë Ukrainës.

Në vend se ta zbusë me forcë strategjinë ruse për luftën shkatërruese, që synon civilët dhe që përpiqet ta dobësojë mbështetjen ndërkombëtare, Perëndimi po vazhdon t’i japë mundësi Putinit që të kryejë lirisht krime lufte. Tragjikisht Dnipro ishte dëshmia më fundit. Qyteti u godit rëndë me raketa dhe dronë më 14 janar. Nga raketat, Kh-22, të projektuara për përdorim kundër aeroplanmbajtësve, të cilat u përplasën mbi një ndërtesë banimi duke vrarë 45 civilë, përfshirë 6 fëmijë të vegjël dhe duke plagosur 79 të tjerë. Rusia po vazhdon të lëshojë raketa të tilla në Ukrainë nga platformat tokësore, ajrore dhe detare siç ka bërë që nga fillimi i luftës.

Këto raketa po lëshohen nga Krimea, Bjellorusia, Rusia, Deti i Zi dhe Deti Azov. Në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, ata synojnë qëllimisht lagjet e banimit dhe vendet e punës së civilëve në një përpjekje për të terrorizuar ukrainasit dhe synuar nënshtrimin e tyre, duke goditur pa mëshirë spitalet, shkollat, vendstrehimet dhe trenat që transportojnë refugjatë për në Poloni.

Ndërsa banorët e Dnipros ndihmuan në operacionet e shpëtimit, ushtarët ukrainas mbërritën në Ft.Sill të Oklahomas më 15 janar për të filluar stërvitjen mbi përdorimin e sistemit raketor Patriot. Edhe pse një lajm i mirëpritur, ai ofron pak ngushëllim për familjet që humbën të afërmit në Dnipro, sidomos për shkak se ky sistem armësh mund të kishte kapur dhe shkatërruar në ajër raketën Kh-22.

Stërvitja që zgjat zakonisht 1 vit për ushtarët amerikanë po përshpejtohet. Gjithsesi ajo është një shembull i qartë i plotësimit shumë të vonuar të nevojave të Ukrainës nga ana e NATO-s për armatime moderne. Sepse këto trupa nevojiten tani në front për të vënë në punë dhe menaxhuar sistemet raketore të dërguara nga SHBA, Holanda dhe Gjermania për t’u mbrojtur kundër sulmeve të ardhshme të raketave ruse.

Por në vend të kësaj, familjet në të gjithë Ukrainën do të jenë potencialisht pa një mbrojtje ajrore efektive për më shumë se 6 muaj, duke pasur parasysh deklaratën e zëdhënësit të Pentagonit, gjeneralit Pat Ryder që tha se trajnimi do të “zgjasë disa muaj”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është lutur vazhdimisht Perëndimit për ndihmë kundër këtyre sulmeve ajrore ndaj vendit të tij. Në fillim, në marsin e vitit të kaluar ai bëri thirrje për krijimin e një zone të ndalim-fluturimit. Pas refuzimit të presidentit amerikan Joe Biden, Zelensky kërkoi sistemet e mbrojtjes ajrore perëndimore për të mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën jetike të vendit.

Por edhe kjo kërkesë u refuzua, sepse SHBA-ja dhe Brukseli ishin të trembur nga hijet e Putinit në mur, duke refuzuar madje të vendosnin ushtarët e NATO-s në një pozicion që mund të çonte në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë. Sulmi me raketa ndaj civilëve në Dnipro, përbën një arsye shtesë për nxjerrjen para drejtësisë në një gjykatë speciale të atyre që janë përgjegjës për sulme të tilla.

Dhjetë muaj më vonë, raketat Patriot po vihen në dispozicion për të mbrojtur Ukrainën, edhe pse ato nuk ka të ngjarë të jenë funksionale të paktën deri në korrik. Dhe koha e vonesës midis angazhimit dhe përdorimit në terren po vret shumë ukrainas të tjerë. Procesi i marrjes në dorëzim të pajisjeve ushtarake që i nevojiten Ukrainës, është shumë i ngadaltë.

Burokracia politike dhe diplomatike që po bllokon paketat e ndihmës ushtarake, po ndihmon shumë në këtë vonesë. Përplasja midis SHBA-së dhe Polonisë në njërën anë dhe Gjermanisë nga ana tjetër në lidhje me tanket “M1 Abrams” dhe “Leopard 2” është vetëm një shembull i tillë i pafalshëm.

Është e vërtetë që logjistika në lidhje me transferimin e pajisjeve në Ukrainë përbën një sfidë. Edhe trajnimi i ushtarëve ukrainas dhe mbajtja e këtyre sistemeve në funksion në fushën e betejës paraqet sfida edhe më të mëdha. Por deri më sot, ushtria ukrainase ka dëshmuar se është shumë e adaptueshme brenda dhe jashtë fushëbetejës.

Për më tepër, tani kanë kaluar 11 muaj nga fillimi i një lufte që kërcënon vetë ekzistencën e Ukrainës dhe identitetin e saj kombëtar dhe kulturor. Po ashtu, kjo është një luftë që e kërcënon në thelbin e saj demokracinë globale dhe sigurinë evropiane. Mënyra reaktive me të cilën administrata Biden dhe NATO po përgjigjen kolektivisht ndaj kërcënimit rus, po krijon pa pasur arsye një vonesë të rrezikshme midis veprimit dhe reagimit, duke i vënë në rrezik ukrainasit.

Rusët i kanë rrafshuar prej kohësh qytetet e vendeve që sulmojnë. Kjo është një taktikë brutale dhe terroriste që bazohet në doktrinën e tyre. Gjenerali rus Sergej Surovikin e ndërtoi reputacionin e tij mbi këtë lloj lufte. Atëherë pse ne nuk i paraprijmë taktikave të tyre duke krijuar kushtet për t’iu kundërvënë atyre?

Perëndimi po e nënvlerëson vendosmërinë e Putinit dhe mizorinë me të cilën ai është i gatshëm që të reagojë ndaj dështimeve të gjeneralit të tij në fushën e betejës, përfshirë shënjestrimin e civilëve, shfrytëzimin e dimrit si një armë dhe zbatimin e strategjisë së luftës së llogoreve në fushën e betejës.

Strategjia “ndihmë aq sa mjafton” e administratës Biden është shumë reaktive dhe rrallëherë pro-aktive. Luftërat nuk fitohen duke luajtur në mbrojtje. Luftërat fitohen duke u hedhur në sulm.

Megjithatë në mënyrë të pashpjegueshme, për shkak të hijeve të mëdha të Putinit mbi mur, qasja e palëkundur e administratës Biden ndaj kësaj lufte është të kufizojë operacionet luftarake të Kievit brenda kufijve të Ukrainës.

Frika se Ukraina do t’i përdorë armët e ofruara nga SHBA-ja dhe NATO-ja për të goditur objektivat përtej kufijve të tyre, po i paralizon në mënyrë të panevojshme vendimmarrësit në Uashington dhe Bruksel, pavarësisht se Ukraina ka përdorur me sukses dronët sovjetike të zbulimit, Tu-141, për të goditur objektivat në thellësi të territorit rus.

Dhe pasoja e paqëllimshme e kësaj qasje, është se ajo e pengon Perëndimin që të parashikojë kërcënimin e radhës dhe të vendosë sistemet e duhura të armëve përpara se ato të nevojiten vërtet. Është e vërtetë, Uashingtoni po ofron miliarda dollarë në mbështetje, në pajisje ushtarake, municione, trajnime dhe ndihmë humanitare, por nuk ka asnjë strategji përfundimtare të dallueshme.

Për momentin mesazhi i Uashingtonit është zhgënjyes: Ne qëndrojmë pranë jush dhe mbrojtjes së Ukrainës. Ju mund të vrisni sa më shumë rusë që të mundni, por nuk mund të dilni përtej kufijve tuaj me armët tona. Nuk ka asnjë qëllim të deklaruar si “mposhtja e Rusisë” apo “rikthimi i integritetit territorial të Ukrainës”, përfshirë Donbasin dhe Krimenë. Paqartësia strategjike mbi Kievin është e barabartë me sigurinë strategjike për Moskën. Kjo është një status quo e papranueshme. Zelenskyy nuk ka frikë nga hijet e Putinit.

Ai e bëri këtë gjë të qartë që në fillim kur e refuzoi ofertën e Biden për t’u evakuuar nga Kievi. Zelensky është Winston S. Churchill i shekullit XXI-të. Ai ka ofruar gjakun e tij, djersën dhe mundin e tij. Tani është koha që Perëndimi të ofrojë sakrificën e tij në mbrojtje të demokracisë. Sikurse shprehet më të drejtë gjenerali i famshëm amerikan George S. Patton “mos e lini asnjëherë armikun që të zgjedhë vendin e betejës”.

Ky element thelbësor i artit operacional duket se është harruar nga Sekretari ynë i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe këshilltari i lartë ushtarak i presidentit Biden, njëherazi Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, Mark Milley. Ka ardhur koha që administrata Biden të zhdukë frikën e saj nga hijet e mëdha të Putinit. Nga kjo varet ekzistenca e Ukrainës dhe jeta e njerëzve të saj trima. /albeu.com

Shënim:Jonathan Sweet, kolonel në pension i ushtrisë amerikane. Për 30 vjet ka shërbyer oficer i inteligjencës ushtarake. Mark Toth, ekonomist, historian dhe sipërmarrës në pension. Ish-anëtar i bordit të Qendrës Botërore të Tregtisë,


Shtuar 24.01.2023 15:17