Zbardhen 10 vjedhje në Kavajë, arrestohet 26-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori i tij

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitësit e natës”.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës.

Vihet në pranga një 26-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Zbardhen dhe dokumentohen 10 vjedhje të ndodhura më parë në Kavajë, të cilat dyshohen se janë kryer nga këta shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Shëtitësit e natës”. Falë veprimeve të shpejta dhe të mirorganizuara arrestuan në flagrancë shtetasin:

D. B., 26 vjeç, banues në Laç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin E. D., 29 vjeç, banues në Rrëshen.

Këta shtetas, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 06.07.2021, në Vorrozen, Kavajë, kanë vjedhur makinën në pronësi të shtetasit S. B., e cila u gjet dhe u sekuestrua në Fushë-Gjormë, Laç.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë muajve maj, qershor dhe korrik, këta shtetas kanë vjedhur sende me vlerë, shuma parash dhe orendi shtëpiake në 9 banesa, konkretisht:

Më datë 27.05.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit I. P.; më datë 22.05.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit L. Ç.; më datë 22.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit N. K.; më datë 17.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. Sh.; më datë 17.06.2021 kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit G. B.; më datë 16.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit Sh. C.; më datë 14.06.2021 kanë vjedhur në banesat e shtetasve V. H. dhe K. Ll; më datë 03.07.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit Z. Ç.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave, të kryera nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim./albeu.com

Shtuar 7.07.2021 14:14