Zaev “dorëzohet”, thërret liderët e koalicionit ASH-AAA, ligji i shtetësisë drejt zgjidhjes?

Beteja e opozitës shqiptare ASH-AAA në Kuvend po jep sinjalet e para se këmbëngulja e tyre për Ligjin për shtetësinë pritet të ketë një epilog pozitiv.

Vendosmëria e opozitës ka bërë që kryeministri Zoran Zaev ti bëj ftesë Ziadin Selës dhe Afrim Gashit, për një takim gjatë javës së ardhshme, ku në fokus do të jetë problemi i qytetarëve pa shtetësi. Këtë e ka konfirmur vetë kryeministri Zoran Zaev. “Po. Unë do të takohem me Aleancën dhe Alternativën javën tjetër për të zgjidhur problemin e qytetarëve pa shtetësi”, theksoi sot Zaev në një prononcim për TV21.

Deputetët e koalicionit ASH-AAA së fundi ishin të vendosur se nuk do të heqin dorë nga zgjidhja e problemit të shumë bashkëqytetarëve pa shtetësi. Nga ky koalicioni theksuan se nuk tërhiqen nga pozicionet e tyre. Shefi i grupit parlamentar të koalicionit ASH-AAA theksoi për Alsat-M se nuk mund të kaloj asnjë ligj në Kuvend, përderisa mijëra, apo dhjetëra mijëra bashkëqytetarë nuk kanë as sigurim shëndetësor në kohë pandemie, si pasojë e mospasjes së shtetësisë.

Opozita ka dorëzuar mbi 30 mijë amendamente duke bllokuar mbi 20 ligje, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit dhe refuzimit të ligjit për shtetësi. Lidhur me akuzat e partive shqiptare në pushtet BDI dhe Lëvizjes Besa se shtetësia po keqpërdoret për pikë politike, Rexhepi theksoi se këto qëndrime janë tentativa për të mbuluar qasjen anti-shqiptare të partive nga blloku politik maqedonas. ASH-AAA ka propozuar ligj që mundëson marrjen e shtetësisë përmes një procedure lehtësuese, që kjo e drejtë u është cënuar mijëra qytetarëve, kryesisht shqiptarë për dekada e vite të tëra.

Shtuar 26.03.2021 07:03