Xhaçka në Këshillin e Sigurimit të OKB: Lufta e Rusisë në Ukrainë na kujton fashizmin dhe stalinizmin

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka po flet në New York, në takimin e Këshillit të Sigurimit  “Paqja dhe Siguria e Ukrainës”. Xhaçka tha se veprimet e Rusisë janë një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa theksoi se mbështet Ukrainën.

“Mirëpresim vendimin e Presidencës franceze të KS, për ta mbajtur fokusin në çështjen e llogaridhënies. Veprimet e Rusisë janë një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Rusia ka zgjedhur ta injorojë hapur vazhdimisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, na kujton ditët e errëta të fashizmit dhe stalinizmit. Misionet për gjetjen e fakteve, tregojnë një brutalitet të tmerrshëm kriminal kundër popullatës civile ukrainase. Mijëra njerëz kanë paguar me jetën e tyre për luftën e zgjedhur të Vladimir Putinit. Miliona në mbarë botën janë të uritur për shkak të luftës së zgjedhur të Putin. Ne si komunitet ndërkombëtar duhet të vazhdojmë të ndihmojmë në mbrojtjen e Ukrainës”, ka thënë Xhaçka./albeu.com