Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 3 ose 17 prill të vitit 2022.
Për vitin vitin e ardhshëm atje janë të parapara zgjedhjet e rregullta presidenciale, ato për qytetin e Beogradit, si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Duke folur për gazetarët në Beograd, Vuçiq tha se do të donte që edhe opozita të merrte pjesë në zgjedhje.
Në qershor të vitit 2020, opozita i ka bojkotuar zgjedhjet në Serbi, me pretendimet se Vuçiq ushtron ndikim të madh në institucionet shtetërore.
Vuçiq tha të mërkurën se pushteti sigurohet duke marrë pjesë në zgjedhje dhe duke i fituar ato.
Ai foli edhe për rastin e deputetit të Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviq, të cilit, muajin e kaluar, Gjykata e Apelit në Kosovë ia ka konfirmuar dënimin me dy vjet burgim, për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 shqiptarë të Kosovës, më 1999.
Vuçiq tha se për Serbinë, “vendimi në shkallën e tretë kundër Todosijeviqit është i një rëndësie kyçe”.
Ai gjithashtu tha se është e rëndësishme që Serbia të ruajë sigurinë e serbëve në Kosovë.
“Kjo është arsyeja përse ne do të shohim se cili do të jetë reagimi ndaj vendimit në shkallën e tretë kundër Ivan Todosijeviqit. Kjo është me rëndësi kyçe për ne”, tha Vuçiq./REL