Oliver Kahn, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit gjerman, ka kundërshtuar ashpër faktin që pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026, vëmendja është përqendruar thuajse tërësisht te e ardhmja e Julian Nagelsmannit.
Të lidhura
None found
Sipas ish-portierit të Bayern Munichut dhe përfaqësueses gjermane, thelbi i krizës nuk lidhet vetëm me trajnerin, por me mungesën e futbollistëve që marrin përsipër përgjegjësinë në çastet më delikate.
Në një reagim të publikuar në LinkedIn, Kahn e konsideroi të gabuar debatin që sillet vetëm rreth postit të trajnerit.
“Debati për trajnerin e ardhshëm të kombëtares e humb thelbin e problemit”, shkroi ai.
Ai solli në vëmendje se Joachim Low, Hansi Flick dhe Julian Nagelsmann, ndonëse me filozofi krejt të ndryshme pune, kanë përfunduar në të njëjtin rezultat: eliminim në fazën e grupeve në Botërorët 2018 dhe 2022, si edhe dalje në 1/16 e finales në edicionin e këtij viti.
“Kur tre trajnerë me qasje të ndryshme dështojnë vazhdimisht në të njëjtën pikë, atëherë shkaku është shumë më i thellë”, u shpreh ai.
Kahn ndaloi edhe te momentet vendimtare të ndeshjes, duke veçuar episodin e penalltive si shembullin më kuptimplotë të problemit që, sipas tij, po e shoqëron këtë skuadër.
“Kur seria e penalltive shkoi në gjuajtjet shtesë, pashë Joshua Kimmichin duke kërkuar se kush do ta merrte përgjegjësinë për të gjuajtur. Për mua, ky ishte momenti që e shpjegon më së miri këtë eliminim. Një ekip i madh nuk kërkon vullnetarë në ato çaste. Ai ka lojtarë që kërkojnë vetë topin”.
Legjenda gjermane theksoi se forca për të reaguar nën presion ekstrem nuk shfaqet rastësisht, por formohet gradualisht gjatë gjithë rrugëtimit të një futbollisti.
“Aftësia për të vepruar nën presionin më të madh nuk është rastësi. Ajo zhvillohet ndër vite. Ata që, që në moshë të re, mësojnë të marrin vendime të vështira, të përballojnë gabimet dhe sërish të kërkojnë topin, zhvillojnë pikërisht atë cilësi që bën diferencën në turnetë e mëdhenj”.
“Ndërsa ata që nuk e kanë mësuar kurrë këtë, nuk mund ta fitojnë papritur vetëm sepse veshin fanellën e kombëtares”, përfundoi Kahn.

