Në rrjetet sociale është shpërndarë me ritme të shpejta një pretendim sipas të cilit autoritetet në Irak kanë sekuestruar 57 milionë dollarë cash, 27 kilogramë ar të pastër dhe të brendshme të zbukuruara me ar gjatë një kontrolli në banesën e deputetes Hind Al-Abbasi.
Por deri tani, institucionet irakiane nuk e kanë vërtetuar një version të tillë.
Të lidhura
None found
Në postime virale në Instagram dhe X, aksioni është paraqitur si një nga goditjet më të mëdha ndaj korrupsionit në historinë e Irakut. Në të njëjtën kohë, fotografi të të brendshmeve të arta janë përhapur gjerësisht online, duke shkaktuar reagime të shumta.
Megjithatë, raportime të konsideruara të besueshme paraqesin një panoramë tjetër të ngjarjes.
Sipas mediave irakiane, të cituara edhe nga Gulf News, operacioni kundër korrupsionit është zhvilluar ndaj deputetes Alia Nassif, e jo ndaj Hind Al-Abbasi. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Nassif, raportohet se janë sekuestruar mbi 15.5 milionë dollarë dhe një sasi e madhe ari.
Në këtë rast, autoritetet kanë arrestuar Alia Nassif bashkë me djalin e saj, i cili më herët kishte mbajtur postin e shefit të kabinetit të ish-kryeministrit Mohammed Shia’ Al Sudani.
Ndërkaq, Hind Al-Abbasi rezulton e arrestuar në kuadër të një hetimi për korrupsion, por nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar se në banesën e saj janë gjetur 57 milionë dollarë, 27 kilogramë ar apo të brendshme të arta.
Edhe platformat e inteligjencës artificiale, si Grok dhe Gemini, kur janë pyetur mbi saktësinë e këtij lajmi, i referohen operacionit ndaj Alia Nassif dhe jo Hind Al-Abbasi.
Deri në këtë moment, qeveria irakiane nuk ka konfirmuar pretendimet e bëra virale për sekuestrimin e 57 milionë dollarëve, 27 kilogramëve ar dhe të brendshmeve të veshura me ar, ndaj këto mbeten të paverifikuara.
