Vitia: Situata është shumë e rëndë, varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm (VIDEO)

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka mbajtur një konferencë për media bashkë me Ministrin e Financave, Transfereve dhe Punës ku është deklaruar për masat anti-COVID.

Ministri Vitia deklaroi se duhet me doemos të respektohen të gjitha masat, sidomos ato bazike që kanë të bëjnë me luftimin e virusit COVID-19.

Ai theksoi se vetëm sot pati 14 vdekje, qytetarë që humbën jetën si pasojë e këtij virusi brenda 24 orëve.

“Ngushëllimet më të sinqerta më të dashurve të  tyre. Në anën tjetër ka mbi 900 e disa prej tyre dhe në gjendje të rënduar shëndetësore.Kemi personelin shëndetësorë që përkundër se ka filluar vaksinim i tyre përballen vazhdimisht me këtë situatë. Kemi qytetarët të tjerë të cilët nganjëherë s’po munden të marrin as trajtimin me kohë. Situata është shumë e rëndë sidomos në institucionet tona shëndetësore.Qytetarë, varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet shumë më shpejtë, shumë agresiv dhe i prek moshat e reja të cilët parashihet të vaksinohen tek në fazën e tretë.Duhet të mbrojmë jetën e secilit sepse çdo jetë është e vlefshme. Masat kufizuese kanë dëshmuar se si të efektshme në përputhje të mbajtjes në kontroll të pandemisë.Kësisoj kemi nevojë për të gjithë tani.Situata është rënduar edhe pas fillimit të vaksinimit në vende si Franca, Belgjika, Britania e Madhe të tjera ndonëse kanë filluar vaksinimin më herët dhe shumëfish më të lartë kanë masa tejet kufizuese”, tha ai, shkruan lajmi.net.

Arben Vitia shtoi se kujdesi i shtuar dhe masat e reja përfshirë ato kufizuese e ndihmojnë procesin e mbrojtjes dhe se vetëm kështu maksimizohet përpjekja për mos-lejimin e përhapjes së virusit COVID-19.

“Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur për këtë. I lusim edhe njëherë të gjithë që të respektojnë masat ne nivel individual të ndër-prehet zinxhiri i përhapjes së infeksionit. Në anën tjetër Qeveria po punon pandërprerë të sigurojë sa më shumë vaksina sa më shpejtë, në këtë proces nuk është vetëm ministria e Shëndetësisë, por gjithë kabineti qeveritar dhe presidentja Osmani.Po punojmë për rritjen e kapacitetit të shërbimeve në spitale, e kuptojmë kritikën për masat sepse gjendja është e rënduar sa i përket ekonomisë. Jemi të vetëdijshëm në vështirësitë e këtyre sektorëve por edhe para vendimit për këto masa që kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit, Ministria e Financave-Transfereve dhe Punës ka përpiluar masat në këtë kohë.Kemi vendosur dhe jemi pajtuar e dakorduar që të formojmë grupe punuese me përfaqësuesit e Gastronomisë dhe të grupeve tjera të prekur nga vendimet tona që kërkesat tona dhe të tyre të bashkërendohen”, shtoi ai.


Shtuar 7.04.2021 05:04