Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka bërë të ditur se viktimat e tragjedisë së Bullgarisë mbërrijnë në atdhe më 2 dhjetor 2021.
Osmani u shpreh se transporti do të organizohet me avion të Republikës së Bullgarisë deri në aeroportin e Shkupit dhe më pas do të vijohet me protokollet shtetërore.
“Pas komunikimit të sotëm me prokurorin bullgar Z. Sarafov përgjegjës për tragjedinë e 23 nëntorit në Sofje, dua të informoj se sjellja e kufomave të bashkëqytetarëve tanë që humbën jetën në këtë tragjedi planifikohet për të Enjten 2 dhjetor 2021. Qeveria bullgare u përgjigj pozitivisht kërkesës sonë që transporti të bëhet me avion të R. Bullgarisë deri në aeroport të Shkupit, prej ku me protokoll shtetëror do dorëzohen familjarëve nëpër shtëpitë e tyre. Për detajet tjera mbetem në komunikim të drejtpërdrejtë me familjarët dhe opinioni do të informohet në kohë”, ka bërë të ditur Osmani.
Kujtojmë se të martën e 23 nëntorit autobusi i agjencisë “Besa Trans” që po kthehej nga Stambulli në Shkup u përplas dhe më pas shërtheu në flakë në autostradën “Struma” në Bullgari. Për pasojë humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Tragjedisë i mbijetuan vetëm 7 persona, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Kjo tragjedi ishte më e madhja në 10 vitet e fundit në Europë e ndodhur nga aksidentet rrugore./albeu.com