Policia bën me dije se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:30, tek Pallati i Kulturës, Vlorë, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, ka vjedhur me thyerje në zyrat e qarkut.
Mësohet se, hajduti, me armë dhe i maskuar, ka marrë dokumenta në zyrat e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në dy zyra. Ai ka qenë i qartë se çfarë ka dashur, ka hyrë e ka marr vetëm dokumentacion, një dosje të fshatit Dhërmi. Dyshohet se ka pasur informacion.
Bardhi Gjika, drejtori i kësaj zyre tregon se hajduti është futur nga dera dritarja e zyrës së zëdhënësit dhe ka dalë nga dera kryesore pasi ka thyer dyert e dy zyrave, asaj të pronës dhe të Mbrojtjes së tokës.
“Rreth mesnatës jam njoftuar që kanë hapur zyrat. Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrat. Zyrat e pronave. Gjeta policinë dhe rojet. Po bëjmë një inventar për të parë se çfarë mungon. Është hapur edhe zyra e drejtorisë dhe administrimit të mbrojtjes së tokës. Nuk kemi për të thënë vjedhje dosjesh sa të mësojmë.
Nëse ka humbur një dokument. Monitorohet nga kamerat. Roja e ka konstatuar dhe ka njoftuar. Ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe pastaj ka dalë nga dera kryesore”, shprehet Bardhi Gjika.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit./albeu.com