Ulja e rasteve, Manastirliu: Ja kur do t’i rishikojmë masat anti-Covid

Masat anti-Covid do të rishikohen javët e para të marsit ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu  gjatë vizitës  që pati  me zv/Presidentin e Zvicrës në  qendrën shëndetësore të Vorës.

Manastirliu theksoi gjithashtu rëndësinë e  vaksinimit anti-Covid, duke u shprehur se ky është element kyç për rivlerësimin e masave.

“Qeveria shqiptare ka miratuar kontratën për ardhjen e 1 million dozave të vaksinave Pfizer, plus 500 mijë doza opsionale. Pra përgjatë gjithë këtij viti fjala kyçe do vijojë të mbetet vaksinimi dhe vaksinimi me dozën e tretë është sërish shumë i rëndësishëm në funksion të rritjes së imunitetit dhe shmangies të formave të rënda të sëmundjes. Jemi duke vlerësuar me shumë kujdes situatën epidemiologjike, kemi indikatorë të përmirësuar, një incidencë e cila është në ulje, por sa i përket rasteve aktive vijojmë të kemi dhe duhet të tregojmë kujdes. Duke shpresuar që do të jemi në indikatorë të përmirësuar, do të rivlerësojmë masat në dy javët e para të muajit mars”, tha Manastirliu./albeu.com


Shtuar 19.02.2022 15:49