Luka Misetic, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, ka reaguar ndaj Pietro Speras, Avokatit të Popullit të Gjykatës Speciale, pasi ky i fundit njoftoi sot për angazhimin e tij në mbikëqyrjen e ambienteve të paraburgimit. Spera bëri të ditur gjithashtu se, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, u ka ofruar të paraburgosurve takime private dhe konfidenciale, por sipas tij, disa kanë pranuar ta takojnë dhe disa të tjerë jo.
Të lidhura
None found
Në një postim në profilin e tij në “X”, Misetic tha se, megjithëse Avokati i Popullit i Speciales flet për mandatin e tij “të pavarur për të monitoruar dhe për të mbrojtur të drejtat fundamentale të të akuzuarve”, ai nuk ka kontaktuar asnjëherë, për gjashtë vjet, asnjërin prej avokatëve mbrojtës të Hashim Thaçit.
Ai përmendi edhe Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, për të cilin tha se ka treguar interesim aktiv dhe ka mbajtur kontakt të vazhdueshëm.
“Ndërsa Avokati i Popullit i DHSK-së thotë se mandati i tij është të “monitorojë, mbrojë dhe të mbrojë në mënyrë të pavarur” të drejtat themelore të të akuzuarve, ai nuk i ka kontaktuar avokatët e Hashim Thaçit as edhe një herë në 6 vjet. Në të kundërtën, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, ka kontaktuar në mënyrë aktive si pjesë e përpjekjeve të tij të monitorimit”, shkroi Misetic.
