U raportuan të humbur nga e ëma, policia gjen 3 të miturit shqiptarë: Çfarë kishin vjedhur

Një grua në Prizren kishte raportuar të shtunën në polici se tre djemtë e saj të mitur kishin dalë nga shtëpia dhe se nuk di gjë për vendndodhjen e tyre.

Lidhur me këtë, ka folur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se të miturit janë gjetur në Prishtinë.

“Pas një pune hetimore është arritur të identifikohet vendndodhja e tyre, të cilët janë gjetur në afërsi të stacionit të autobusëve në Prishtinë, pastaj të njëjtit janë shoqëruar në Prizren dhe janë intervistuar në praninë e prindit që e ka raportuar rastin”, tha Gashi për KlanKosovaFM.

“Gjendja e tyre shëndetësore ka qenë mjaft e mirë, mirëpo gjatë intervistimit ata kanë deklaruar se ditën kur i ka raportuar prindi si persona të zhdukur, të njëjtit kanë kryer një vepër penale, pra e kanë vjedhur një veturë dhe me të kanë udhëtuar për në Prishtinë”, shtoi ai.

Gashi po ashtu sqaroi se rasti i veturës është i raportuar si rast vjedhjeje në stacionin policor në Prizren.

Të miturit pas kësaj janë kthyer në shtëpi.


Shtuar 28.03.2022 19:32