U qëllua me armë sa doli nga kafja, flet ish-kreu i PS: Ishin dy persona me motor, nuk kam asnjë konflikt!

Ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit u plagos në Shkodër, pranë Shkollës Pyjore, shtetasi Nikolin Hubaj.

Hubaj, një person i njohur në Shkodër, ish-kryetari i PS në Vaun e Dejës dhe punonjës aktual në HEC-in  e Komanit, u plagos me armë zjarri në këmbë.

Burimet për albeu.com bëjnë me dije se Hubaj ka deklaruar në polici, se u qëllua me armë zjarri sapo ka dalë nga kafja.

“Më qëlluan sapo dola nga kafja. Ishin dy personame motor dhe skafandë në kokë, ata u afruan dhe më qëlluan. Nuk kam thënë asnjë fjalë dhe nuk e di kush janë. Nuk kam konflikt me askënd, ata më qëlluan dhe ikën. Nuk ia kam idene pse me qëlluan…” -ka deklaruar Hubaj në polici.

 

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Më datë 04.09.2021, rreth 10:15, në afërsi të  shkollës Pyjore, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur  me armë zjarri në këmbë, jashtë rrezikut për jetën  shtetasi N. H., 54 vjeç, banues Vau Dejës.

Në vendngjarje kanë mbërritur  menjëherë shërbimet e Policisë ku vijon krehja e zonës për kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimine  Prokurorisë  ndodhet në vendngjarje  dhe vijon punë për  sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes./albeu.com/


Shtuar 4.09.2021 12:48