73 pacientë me COVID-19 në kujdes intensiv në Kosovë

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha më 4 shtator se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.171 pacientë, prej tyre 1.044 janë të konfirmuar me koronavirus.

Një ditë më parë ishin raportuar 1.209 pacientë. Pra, të shtunën 38 pacientë më pak po trajtohen në këto institucione shëndetësore.

Sipas raportit ditor, 73 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërkaq 978 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë të shtrirë 398 pacientë, 391 prej tyre me COVID-19 ndërsa 349 po trajtohen me oksigjeno-terapi. Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 773 pacientë, 653 të konfirmuar me COVID-19 pozitivë dhe 629 me oksigjeno-terapi”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten, më 3 shtator se janë regjistruar edhe 26 vdekje dhe 1.448 raste të reja me koronavirus.

Sipas raportit, 15 nga viktimat ishin të gjinisë mashkullore dhe 11 të gjinisë femërore.

Rastet e reja dolën pas testimit të 12.558 mostrave në laboratorët publikë dhe privatë./REL


Shtuar 4.09.2021 13:13