Lëvizja Socialiste për Integrim, dega Shkodër, ka reaguar pasi policia arrestoi një militant të kësaj force politike i cili u vu në pranga pasi policia i gjeti në makinë një shumë mbi 5 milionë lekë të vjetra dhe një fletë si ajo e votimit.
Në një deklaratë për mediat, kandidatja e LSI Erlinda Kavaja thotë se “kjo situatë tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes”.
Sipas saj, “aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit”.
“Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë”, theksohet në reagim.
Deklaratë e kryesisë së LSI Qarku Shkodër:
Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes.
Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit.
Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë.
Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike.
I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale .