Trupi plot shkrime! Misteri i vdekjes së 23-vjeçares, merret në pyetje 26-vjeçari

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vdekja e vajzës së re, Evgjeni Baxho.

Grupi i hetimit ka treguar për ‘Top Channel’ se gjeti pranë vajzës një recete, një raport të marrë nga instituti shëndetësor të firmosur në datën 12 maj, një fletë e bardhë e shkruar me shkrim dore me stilolaps blu, që fillon me fjalët:

Vet nga fjala virtualizëm ‘ dhe përfundon me shkronja shtypi “DISK DEFRAGMENT’ .

Burimet e gazetares Anila Hoxha thonë se letra ka 16 rreshta ku pas numrit 4 shkruhet “borë metal”.

Ndërkohë për ngjarjen në fjalë është marrë në pyetje një 26 vjeçar me inicialet S.S. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Hoxha, 26 vjeçari ka thënë:

‘ E kam njohur Evgjeni Baxho, pasi punonte tek Vodafone dhe e kam njohur pasi i çoja kafen tek dyqani. Më pas ka patur raste kur ishte kohë me shi dhe ajo më thoshte që kur ta mbaronte punën ta çoja deri afër shtëpisë dhe unë e kam çuar me makinë deri afër shtëpisë. Ndonjëherë kam dalë për kafe por marrëdhëniet me të ishte vetëm shoqërore. Në lidhje me Evgjeninë di që jetonte me një shoqe të quajtur Anxhela dhe më pas jetonte vetëm. Nuk dija të kishte të dashur.

Ditën e dielë duke qenë se ajo kishte 10 ditë që nuk kishte ardhur në punë i shkrova në instagram dhe e pyeta nëse do dilte për kafe.

Pranoi dhe dolëm për kafe në Farkë. E kam pyetur për shëndetin dhe më tha që i dhimbnin pak bajamet dhe kam vënë re që ishte pak e enjtur tek buza.

Nuk kemi qëndruar shumë pasi bënte freskët dhe ndërkohë e mori edhe tezja në telefon, të cilës ja mbylli telefonin dhe Evgjenia tha ‘hajde çohemi se do vete pak tek tezja’.

Jemi çuar dhe më pas nuk kam kontaktuar më me të. Ajo më tha se ditën e nesërme do shkonte në një klinikë private për të bërë analizat dhe për të bërë vizitën dhe me siguri do shkonte dhe në punë”.

Policia: A të ka thënë që do shkonte doktori ta vizitonte në shtëpi?

S.S: Jo nuk ma ka thënë diçka të tillë

Policia: A keni vënë re nëse Evgjenia shoqërohej me ndonjë person në moshë të madhe?

S.S – Jo nuk e kam parë ndonjëherë me ndonjë person në moshë të madhe.

Policia: A keni vënë re ndonjë vizatim të bërë nga Evgjenia në trupin e saj ?

S.S: Jo nuk kam parë ndonjë vizatim dhe as nuk e kam vënë re.

Policia: A keni dijeni nëse Evgjenia frekuentonte ndonjë lloj besimi?

S.S: Nuk kam informacion për këtë . Ne kur dilnim për kafe bënim muhabet në lidhje me punën ose familjen dhe nuk kemi bërë ndonjëherë muhabet për tema të tjera.

Materialet procedurale në lidhje me këtë ngjarje i kanë Prokurorisë pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë deri në dalje të aktit të ekspertimit për shkakun e vdekjes. /tch


Shtuar 24.05.2021 16:55