Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit se 10 miq të kryeministrit Edi Rama kanë përfituar 4.6 miliard euro për investime strategjike.
Sipas Bardhit, përfitues të investimeve strategjike janë ndërtuesi i vilës personale të Edi Ramës në Surrel si dhe trafikanti i drogës nga Shkodra.
Ai shtoi gjithashtu se Edi Rama refuzon komisionin hetimor për investimet strategjike sepse është përgjegjës për abuzimet me pronat publike.
Reagimi i Bardhit:
Sot krahu i majtë i kësaj salle, deputetët e Partisë Socialiste, janë udhëzuar nga partia të votojnë kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. Në cdo vend demokratik vepron parimi që Kuvendi miraton ligjet; qeveria zbaton ligjet; Kuvendi kontrollon mënyrën sesi qeveria zbaton ligjet.
Kushtetuta jona, duke e përfytyruar Shqipërinë si një vend normal demokratik, jo vetëm parashikon ngritjen e Komisioneve Hetimore, por e detyron Kuvendin të ngre Komision Hetimor kur këtë e kërkojnë 35 deputetë.
Kjo është qartësuar edhe në ligjin për Komisionet Hetimore ku thuhet shprehimisht: “Komisioni Hetimor krijohet me kërkesë të 35 deputetëve. Grupi nismëtar paraqet qëllimin e krijimit të komisionit, çështjen që do të hetohet, propozimin për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit.
Cfarë kemi kërkuar ne 35 deputetë të opozitës? As më shumë dhe as më pak një të drejtë që na e njeh Kushtetuta: të kontrollojmë mënyrën sesi qeveria ka zbatuar një ligj të miratuar nga ky Parlament, ligjin për investimet strategjike. Ky është rasti tipik se kur mund të ngrihet një Komision Hetimor. Nëse Qeveria ka zbatuar ligjin, cfarë e shqetëson që Parlamenti ta kontrollojë?
Prej 45 ditësh shqiptarët kanë parë Edi Ramën të gjejë justifikim pas justifikimi për të bllokuar ngritjen e këtij Komisioni Hetimor.
Secili prej jush pyet veten cfarë e detyron Edi Ramën që të shkel Kushtetutën, të shkel ligjin, dhe të pengojë kontrollin nga Parlamenti të mënyrës sesi ai dhe qeveria e tij kanë zbatuar ligjin.
Përgjigjen secili prej jush e ka në këtë tabelë. Janë 36 projekte që kanë marrë statusin e investitorit strategjik me firmë të Edi Ramës, me vlerë investimi 4.6 miliard euro, aq sa është Buxheti vjetor i shtetit shqiptar. 80 % e investimeve janë në fushën e turizimit, ku Edi Rama pa garë i ka vënë në dispozicion pasuri publike, brigjet e detit dhe plazhet me të bukura në jug të vendit.
Nëse prisni të shikoni në këtë listë ndonjë investitor të huaj, do të zhgënjeheni. 36 projekte të investimeve strategjike, me vlerë 4.6 miliard euro, i kanë marrë jo më shumë se 10 individë, ku secili prej tyre ka 3 apo 4 projekte. Në këtë listë sigurisht mund të ketë ndonjë projekt që e meriton statusin e investitorit strategjik, por pjesa dërrmuese janë abuzive, klineteliste, korruptive.
Kush janë përfituesit do të thotë ju? Asnjë surprizë edhe këtu. Janë të njëjtët, ato që kanë përfituar në këto 9 vite cdo koncesion, cdo PPP dhe cdo tender të madh nga kjo Qeveri. E vetmja shtesë në këtë listë janë ministrja Olta Xhacka dhe aktori Gaz Paja.
Pra Kuvendi në vitin 2015 miratoi një ligj, gjoja me sebepin se do sillte investime të huaja dhe do krijonte lehtësi për investitorë serioz të huaj, por përfundimi është që përfitues nga ligji janë 10 individë, miq dhe oratakët e përhershëm të Edi Ramës, shtuar Olta Xhackën dhe Gaz Pajën.
Në listë nuk mungon ndërtuesi i sajareve personale në Surrel të Edi Ramës, Pandeli Carapuli; eksponentë të kallëzuar në SPAK për krime zgjedhore dhe që blenë vota për partinë socialiste, shantazhojnë votuesit si Pëllumb Gjoka, apo kompani që janë në proces likujdimi për shkak se kanë falimentuar.
Pra ligji për investimet strategjike është shndërrua nga Edi Rama në një plackë për të shpërblyer me pasuri publike, kryesisht me prona në bregdet, në kundërshtim me ligjin, miqtë, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij.
E për abuzimet me këtë ligj; Edi Rama si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, nuk thotë dot që nuk dija gjë, e ka bërë ministri me kokën e vet; apo kam firmosur pa lexuar. Për abuzimet me këtë ligj përgjegjësia është direkt e Edi Ramës. Prandaj ka urdhëruar sot deputetët e tij të bllokojnë ngrtijen e Komisionit Hetimor.
Fakti që Edi Ramë dhunon Kushtetutën dhe Ligjin, duke mohuar një të drejtë kushtetutese të opozitës, është në fakt prova më e mirë që ai vetë, personalisht, jo vetëm është përgjegjësi për abuziimet me ligjin, por është edhe arkitekti i shndërrimit të ligjit për investimet strategjike në një ligj klientelist dhe korruptiv.