Tjetërsimi i pronave në Sarandë, prokuroria sekuestron mbi 10 mijë m2 tokë në Kanalin e Çukës

Prokuroria e Sarandës ka vendosur të sekuestrojë sipërfaqen tokësore prej 10 mijë metra katrorë në Sarandë, e cila u tjetërsua nga zyrtarë e biznesmenë.

Prokuroria njofton se vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhrave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim detyre”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “falsifikim i dokumenteve”.

Sipas Prokurorisë, në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetëror, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË SARANDË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.

Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.