Alarm në Mariupol, ukrainasit po burgosen dhe ekzekutohen

Vullnetarët dhe zyrtarët ukrainas, të cilët refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet ruse në qytetin e pushtuar të Mariupolit dhe fshatrat përreth, po burgosen dhe ekzekutohen, raporton BBC Monitoring nga këshilli i qytetit të Mariupolit.

Një postim në telegram nga autoriteti, i cili citon kryebashkiakun Vadym Boychenko, thotë se një “gjykatë e rreme DPR [e vetëshpallur Republika Popullore e Donetskut]” ka dënuar kreun e një fshati bregdetar Azov me 10 vjet burg, ndërsa të paktën një nëpunës civil është dënuar dhe ekzekutuar.

Dhjetëra vullnetarë, të cilët ndihmuan në evakuimin e banorëve dhe u përpoqën të dërgonin ushqim dhe ujë në qytetin e bllokuar në mars dhe prill, po mbahen gjithashtu në burgun Olenivka, thotë këshilli i qytetit.

“Një gjykatëse ukrainase po pret gjithashtu një vendim nga republika e rreme. Ka raporte se ajo është torturuar”, shton Këshilli.

Ndërkohë, Petro Andryushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, ka thënë në Telegram se trupat pushtuese ruse kanë kërkuar të përshpejtojnë shpërndarjen e pasaportave ruse në Mariupol.

Ai citoi “burime” të thoshin se ministria e migracionit e DPR kishte udhëzuar autoritetet e instaluara nga Moska në qytet për të gjetur ambiente ku do të dorëzoheshin dokumentet nga banorët për të marrë pasaportat ruse.

BBC nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.