Tentuan të trafikonin 137 kg kokainë, SPAK kërkon 20 vite burg për Altin Myslihakën dhe Ardian Begajn

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën për dy të arrestuarit, shtetasit Ardian Bega dhe Altin Myslihaka.

Dy shtetasit e mësipërm janë  të përfshirë në trafikun e 137 kg kokainë të sekuestruara në Portin e Durrësit.

Sipas News24, në total për dy personat është kërkuar 20 vite burg. Konkretisht, për Begën SPAK ka kërkuar 8 vite e 8 muaj burg, ndërsa për Altin Myslihakën 12 vite burg. Ndërkohë është pezulluar gjykimi për Gentian Malindin, pasi është në arrati.

Kujtojmë që 137 kg kokainë u bllokua në Portin e Piereut ne shtator te 2019 dhe u zëvendësua me oriz nga uniformat blu. Këta të fundit mbajtën nën vëzhgim lëvizjet e kontejnerit, deri në Durrës, për të zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës.

Biznesmeni  Gentian Malindi dyshohet se ka dale garant për të marrë ngarkesën nga kontejneri dhe më pas për ta dërguar në destinacionin e përcaktuar nga grupet kriminale. Pasi vuri re që në pako kishte oriz dhe lokalizues satelitor ai e hodhi çantën nga automjeti, por ishte në vëzhgim nga Forcat Operacionale Speciale.


Shtuar 29.06.2021 13:11