Temperatura 1000 gradë, eksperti zbulon arsyet pse nuk po fiket zjarri te magazina në Tiranë

Vijon të mbetet aktiv zjarri i cili përfshiu magazinën e qendrës tregtare në Tiranë, teksa ende nuk ka asnjë shenjë nga 33 vjeçari Arjan Sala.

Mësohet se një grup vullnetarësh kanë mbërritur në ndihmë të zjarrfikësve të cilët po punojnë për kërkimin e 33 vjeçarit, teksa eksperti Adem Statovci i cili është në krye të grupit të 16 vullnetarëve  ka dhënë detaje të frikshme për zjarrin në magazinë. Ai ka thënë se temperatura në godinë ka shkuar afërsisht 1 mijë gradë, raporton abc news.

“Ende zjarret janë të rrezikshme. Kjo punë  e kërkimit është problem se jemi duke u marrë me fikjen e zjarrit. Gërmadhat duhen pastruar. Unë kam informacion për një person aty. Dje kemi bërë një matje që ka qenë rreth 1 mijë  gradë ”, ka thënë shefi i shërbimit të zjarrfikësve në Rinas, Adem Statovci.

Ndërkohë i pyetur nga gazetarët se pse nuk po fiket zjarri që prej dy ditëve, ai ka shtuar se kjo vjen për shkak të materialeve të djegshme që ndodhen në magazinë. Raportohet se magazina ka qenë mbushur plotë me material.

“Shumë materiale të ndezshme që kanë qenë aty në hapësirën e magazinës. Ka qenë e tej ngarkuar me material. Qasja tek zjarri është shumë e vështirë. Rafte, ka dhe mure që janë shembur. Avancimi është shumë i vështirë. Nëse ke rroba dhe këpucë në trashësi një metër është e vështirë. Zjarrin brenda nuk e kemi fikur.”

“Besoj që diku gjatë ditës së sotme do përfundojmë. Godina nuk rrezikon intensiteti i madh është kaluar.” ka shtuar më pas Adem Statovci.


Shtuar 26.03.2021 12:47

Tags: ,