Te Berisha apo te Basha? Bardh Spahiu e zbulon publikisht kë lider mbështet

Ish-deputeti Bardh Spahia ka zbuluar publikisht kë mbështet në Kuvendet Kombëtare, Sali Berishën apo Lulzim Bashën.

Në një postim në Facebook, Spahia shkruan se do të jetë pjesë e Kuvendit të 11 dhjetorit.

“Do të doja që ky takim i madh politik i 11 Dhjetorit, të ishte iniciuar që në fillim të këtij debati nga vetë drejtuesit e Partisë Demokratike dhe jo të humbej kohë duke u fshehur pas gishtit…”- shkruan ndër të tjera Spahia në Facebook.

Postimi i plotë:

Vota zgjidh krizën në Partinë Demokratike! Nuk është nevoja të përsëris atë që dihet: që situata aktuale në Partinë Demokratike është tejet kritike. Mendoj gjithashtu se situata është bërë aq komplekse, sa fluksi gjigand i informacionit me të cilin mbytet publiku nga mediat, nuk i lejon njerëzit e thjeshtë që t’i vleresojnë gjërat me qartësi.

Kam zgjedhur jo pa qëllim, të mos përfshihem publikisht, në situatën e krijuar së fundmi në PD, edhe pse, për hir të së vërtetës, është një realitet, që në një formë apo një tjetër prek cdo anëtar të strukturës së PD-së, në cdo nivel por jo vetëm, edhe simpatizantët, votuesit dhe madje komplet shoqërinë shqiptare.

Do të bëj të pamundurën, që të mos hedh benzinë në zjarrin e pasionit apo urrejtjes, ndjesi të forta, të cilat nëse vazhdojnë të ushqehen, rrezikojnë të shkatërrojnë frymën e përkatësisë dhe bashkimit, që na ka mbajtur të lidhur, edhe në ditët me të vështira. Ne nuk jemi armiq, por miq dhe ky është fakt! Edhe pse pasioni dhe emocionet mund ta kenë zbehur këtë fakt, nuk duhet të lejojmë, që lidhja jonë të thyhet. Historitë mund t’i kemi të ndryshme por fatin e kemi të përbashket, të lidhur me Partinë Demokratike.

Më shumë se 3 dekada më parë, Partia Demokratike nisi rrugëtimin e vet, përgjatë së cilit, i shenjoi këto dekada me shenjat e sforcove dhe përpjekjeve, shkëlqimin e arritjeve e sukseseve, ashtu sic edhe humbjet. Por mes turbullirash e situatash kritike, Partia Demokratike nuk e humbi kurrë orientimin e vet apo parimet dhe idealet, që përbëjnë edhe forcën e saj të vërtetë.

Liria dhe pushteti, qoftë edhe brenda një organizate politike, mbartin përgjegjësi, dhe pergjegjesia bie mbi strukturat dhe organet kolegjiale të tyre, në të gjitha nivelet. A duhet demokratët t‘i tremben kritikës nga kushdo qoftë?

Aktualisht në PD ka shumë mendime dhe kritika. Ka patur gjithmonë në fakt, edhe pse asnjëherë, në një përplasje kaq të fortë. Atëherë, cili duhet të jetë qëndrimi ynë karshi këtyre ideve dhe kritikave? Të pengojmë shprehjen e tyre? T‘i injorojmë? Sigurisht që jo! Vetëm përmes diskutimit, kritikës dhe llogjikës, do mund të zgjidhim problemet.

Gabimet duhen evidentuar e kritikuar. Po të reflektonim mbi çmimin, që na është dashur të paguajmë për lirinë e mendimit gjatë diktaturës, do ta mbronim lirinë e çdo ideje dhe çdo kritike, edhe kur drejtohet kundër nesh. Ne duhet të dëgjojmë! Të dëgjosh nuk do të thotë të bindesh! Të dëgjosh nuk do të thotë të bësh kompromise! Të dëgjosh do të thotë të mundohesh të kuptosh në mënyrë, që të bësh zgjedhje më të mira.

Eshtë art i vështirë ai i të dëgjuarit! Eshtë i vështirë sepse shpesh, zërat e atyre që kanë më shumë gjëra për të thënë, nuk janë të zhurmshëm, por janë diskretë. Nuk është çështja, se kush do të dalë i fituar nga kjo përplasje. Cështja është, se pas 8 viteve në opozitë, kjo parti ka nevojë për një drejtim të fortë dhe energjik, në vizion e qëndrime, inovativ dhe demokratik. Kohët kanë ndryshuar. Na pëlqen apo jo, rritja e një koshience partiake është një fakt politik, që të gjithë ne duhet ta pranojmë si të tillë, e që me patjetër duhet të merret në konsideratë.

Njerëzit presin nga ne, dicka më shumë se sa denoncimet, konstatimet dhe deklaratat. Sfidat janë të mëdha, situata është skandaloze dhe për fat të keq, prej më shumë se 8 vitesh, vendi drejtohet nga një grup njerëzish thellësisht të korruptuar dhe të inkriminuar. Metodat e deritanishme të opozitës nuk kanë funksionuar! Ndoshta edhe për faktin, se Partia Demokratike ngjason me një të sëmurë rëndë. E kam konstatuar këtë diagnozë, kohë përpara se SHBA-të, të shpallin non grata liderin e PD-së, Sali Berisha. Nuk kam mbajtur një qendrim publik deri më sot, në përpjekje për të reflektuar me veten, për të kuptuar shkakun dhe si kurohet sëmundja. Sëmundjen e kam ndjerë në lëkurë, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

Ku me gjithë punën, sakrificën e përkushtimin e jashtëzakonshëm të njerëzve të strukturës, si dhe mbeshtetjen e pakursyer të demokratëve dhe të qytetarëve të ndershëm, nuk arritëm të kishim rezultatin e duhur, për të mos thënë, që patëm një ndër rezultatet më të këqija nga të gjitha qarqet.

Pas 9 shtatorit, kur Lulzim Basha mori vendimin kundër Sali Berishës, Partia Demokratike është ndarë në dysh. Një palë flet për sëmundjen e partisë, – mungesën e demokracisë së brendshme, dobësimin e PD-së, për të vepruar si forcë fituese në zgjedhje. Kjo palë e identifikon sëmundjen me kryetarin e partisë. Pala tjetër është fokusuar tek problemi i zotit Berisha me Departamentin e Shtetit, duke u përpjekur që të mbulojë me të problemet reale të PD.  Kjo palë e shikon Sali Berishën, si virus fatal për të ardhmen e PD.

Për mua pak rëndësi ka, se përse zoti Berisha po flet vetëm tani, që iu prek dinjiteti personal apo interesi personal dhe nuk foli më parë. Thelbi qëndron se PD është e sëmurë e me këto simptoma tejet të dukshme: Skemat e vogla kanë zëvendësuar votën. Lidhjet e shkurtra kanë zëvendësuar meritokracinë.

Llogaritë personale kanë zëvendësuar interesin e demokratëve. Kjo është kuptuar nga shumë demokratë dhe ata kanë shprehur vullnetin, që zëri i tyre të dëgjohet në një Kuvend! Nuk di sa janë në qytete të tjera, por di sa janë në Shkodër. Më shumë se 70% e delegatëve të Kuvendit Kombëtar përkrahin idenë, se Partia Demokratike duhet të ndryshojë!

Ka shumë prej tyre, që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar tek zoti Berisha, por e shohin këtë lëvizje, si një mundësi për t’i ikur “turpit” të nënshtrimit ndaj kundërshtarit; si një mundësi për të shkundur sadopak situatën e sheshtë, që mbizotëron prej kohësh në PD, ku të gjithë i konformohen një barazie mediokre, por edhe si një mundësi për të patur lidership frymëzues e fitues.

Partia Demokratike nuk do projektohet kurrë përpara, në qoftë se mbetet një klub i mbyllur këndvështrimesh të ngushta. Ekuilibër, diversitet dhe kreativitet duhet të jenë shtyllat e politikave të PD.

Do të doja që ky takim i madh politik i 11 Dhjetorit, të ishte iniciuar që në fillim të këtij debati nga vetë drejtuesit e Partisë Demokratike dhe jo të humbej kohë duke u fshehur pas gishtit, apo duke tentuar mohimin e një realiteti, që ishte dhe është mëse evident. Kështu do të kishim përfituar 3 gjëra kryesore: Do të kishim garancinë paraprake për një frymë pergjegjshmërie dhe demokratizimi të vërtetë të PD, me ndryshimet e duhura statutore.

Do të kishim garancinë se dëshpërimi i demokratëve pas humbjes, nuk do ta kthente Kuvendin në një gijotinë kundër Lulzim Bashës. Do të kishim mundësi reale për të mos u ndarë, në “të Berishës” dhe në “të “Bashës”. Megjithëse takimit të 11 Dhjetorit mund ti mungoje ndonjë nga këto garanci, unë do të jem aty, si anëtar i Këshillit Kombëtar. Nuk do jem aty për emra të vecantë, por do të jem në respekt të vullnetit të çdo shkodrani dhe çdo demokrati, që kërkon jo thjesht zëvendësimin e një kryetari me një kryetar tjetër, por që kërkon një Parti Demokratike fituese, e cila bazohet tek vlerat dhe i jep vendin që i takon çdo demokrati, sipas meritokracise, kontributit, aftësisë, sakrificave dhe fuqisë së tij elektorale.

Nuk kanë pse ndihen vetëm, e as të anatemuar në një vendimarrje të tillë, cilido qoftë vendimi i tyre, ata që sa herë pati nevojë Partia Demokratike, nuk na lanë kurrë vetëm. Kurrë nuk i kemi ofruar asgjë, vetëm u kemi kërkuar. Le ta vazhdojmë “traditen”, duke u kërkuar, që të vendosin të lirë, të jenë vetvetja. Gjatë kësaj periudhe reflektimi, çdo analizë më ka treguar se sëmundja e rëndë e PD, shërohet vetëm përmes votës.

Më i afti dhe me i forti udhëheq! Politika e ka frikë të aftin sepse aftësia dhe talenti të dhurojnë lirinë dhe forcën për t’u rebeluar. Fatkeqësisht, ne i kemi ikur parimit nr.1 të demokracisë: Kemi fshehur gjendjen tonë! Kemi bërë sikur sëmundja e mosrespektimit të votës nuk ekziston!  Vota e zgjidh këtë krizë, që vendimi për zotin Berisha, thjesht sa e ka nxjerrë në sipërfaqe. Partia Demokratike ka qenë dhe është një parti për njerëz të lirë, jo për ndjekës të verbër, dhe as për konformistë. Prandaj le të vazhdojmë përpara, me një ndërgjegje të pastër, si i vetmi shpërblim i sigurtë, dhe me historinë, si gjykatëse të vendimeve tona.  Ndryshimi do të thotë votim! Votëbesim!

 


Shtuar 8.12.2021 20:47