Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, Begaj përshëndet dakordësimin midis Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar në lidhje me dakordësinë midis Kosovës dhe Serbisë në takimin në Ohër.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Begaj, thotë se ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

Ai falenderon Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

“Kam kënaqësinë të them se pas 12 orësh kemi një marrëveshje dhe pajtim. Mund të deklaroj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Si pjesë e këtij aneksi palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe të implementojnë detyrimet e tyre në mirëbesim”.

Palët kanë rënë dakord për themelimin e komunave me shumicë serbe.

“Për nenin 7, Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, u shpreh Borell.

Borrell theksoi më tej se BE-ja do ju kërkojë palëve që të përmbushin detyrimet dhe paralajmëroi se “mos-përmbushja e tyre do të ketë pasoja”./albeu.com/ 

 


Shtuar 19.03.2023 09:43