Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për t’u dhënë pensionistëve një bonus prej 5 mijë lekësh, duke e konsideruar këtë mbështetje si një lëmoshë sezonale që, sipas saj, nuk arrin të përballojë rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se pensionistët në Shqipëri marrin pensionet më të ulëta në rajon, në një kohë kur çmimet përballë të cilave gjenden çdo ditë po afrohen me nivelet e Bashkimit Europian.
Të lidhura
None found
“Çfarë vlere ka një bonus prej 5 mijë lekësh kur gjithçka është shtrenjtuar? Çmimet në Shqipëri janë sa 90% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat janë vetëm sa 20% e mesatares europiane”, deklaron Tabaku.
Ajo thekson gjithashtu se produktet e bulmetit, përfshirë djathin dhe qumështin, kushtojnë 36% më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërsa shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri janë vetëm 2.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas Tabakut, këto të dhëna tregojnë qartë se bonusi prej 5 mijë lekësh për rreth 777 mijë pensionistë mbetet thjesht një ndihmë e përkohshme dhe e pamjaftueshme.
Ajo vë në dukje se kjo masë i kushton buxhetit të shtetit afro 35 milionë euro, ndërsa, sipas saj, koncesioni i rrugës Milot–Balldren ka shkuar në rreth 360 milionë euro, pra dhjetë herë më shumë.
“Me një të rënë të lapsit, koncesioni i Milot–Balldrenit shkon në 360 milionë euro, ndërsa për 777 mijë pensionistë jepen vetëm 35 milionë euro. Kjo tregon qartë se sa vlejnë pensionistët për këtë qeveri”, shprehet deputetja e PD.
Tabaku argumenton se bonuset sezonale nuk mund të zëvendësojnë politika serioze për rritjen e pensioneve dhe për të garantuar një jetesë dinjitoze për të moshuarit.
“Pensionistët nuk kanë nevojë për lëmoshë sezonale, por për pensione dinjitoze. Ndërkohë që buxheti i shtetit është kthyer në strehë për tendera, koncesione, falje taksash dhe abuzime me pasurinë publike, për pensionistët mbetet vetëm një bonus prej 5 mijë lekësh”, përfundon Tabaku.
