Studentët në Maqedoninë e Veriut mbledhin ndihma për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Në Maqedoninë e Veriut po nisin iniciativa të ndryshme kreative për të ndihmuar popullin turk dhe sirian, të prekur nga tërmeti shkatërrues i 6 shkurtit. Qytetarët e Shkupit kishin mundësi të blejnë gatime shtëpie dhe vepra arti për çmime simbolike, ndërsa paratë e mbledhura nga shitja e organizuar nga studentët do të shkojë në Turqi dhe Siri.

“Ishte shumë keq për neve që dëgjuam se ka tërmet në Turqi, dhe ne si studentë vendosëm që të bëjmë diçka për të mirën e tyre dhe për të mirën tonë…Prandaj vendosëm që t’i bëjmë disa produkte prej në shtëpi dhe t’i shesim dhe paratë që do t’i mbledhim do jepen si donacion në Turqi”, thotw Zulejha Memedi, studente.

Ka shumë qytetarë që japin donacionin dhe nuk duan të marrin gjërat për çka kanë paguar, ndërsa ka edhe të tillë që duan të nderojnë mundin e studentëve duke provuar ushqimin dhe zgjedhur veprat e artit që do të dërgojnë në shtëpi.

Iniciativa të ndryshme si pagesa e kafes me donacion simbolik parash, ose ankand me vepra arti, si dhe dhënia e rrobave dhe gjërave të tjera të nevojshme, po zhvillohen gjithandej Maqedonisë së Veriut.

Në total nëpërmjet organizatave të ndryshme nga RMV deri tani janë dërguar 850 tonë prodhime ushqimore, 53 tonë veshmbathje, 27 tonë mjete higjienike, 34.360 batanije, 186 ngrohëse dhe 37 tenda.

Pushteti qendror dhe lokal i RMV-së ka dërguar mbi 300 mijë euro për Turqinë dhe Sirinë, ndërsa Kryqi i Kuq mbi 400 mijë euro. Qindra mijëra euro janë mbledhur edhe nëpërmjet iniciativave të tjera private.


Shtuar 15.02.2023 19:45