Ditën e sotme 16 dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme, SPAK ka lëshuar urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj, raporton gazetarja e News24, Klodiana Lala.
Konkretisht për drejtoreshën e AKSHI-, Mirlinda Karçanaj, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për biznesmenin Ermal Beqiri, është caktuar masa “arrest me burg”.
Gjithashtu, masë arresti është lëshuar edhe për Ergys Agasin.
Drejtoresha e AKSHI-t ne hetim per 12 tendera
Kujtojmë që Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
SPAK është duke hetuar për 12 procedura tenderuese, në vlera të konsiderueshme që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme.
Nga hetimet rezulton se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin dhe në këtë mënyrë, ata arrinin të fitonin edhe milionat.
Hetimet per Ermal Beqirin
Ndërsa biznesmeni Ermal Beqiri, me kompaninë e tij “Soft & Solution”, është pyetur më herët në SPAK.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur dhe marrë në pyetjeve 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është një institucion në qendër të akuzave për tenderat korruptivë.
Disa kohë më parë një prej ish-zyrtarëve të AKSHI-t Daniel Shima u zhduk mistershëm për të paktën 10 orë dhe familja e tij bëri denoncim në polici. Daniel Shima sapo kishte dhënë dëshminë në SPAK për tenderat korruptivë.
PD ka denoncuar më herët një procedurë prokurimi të kryer nga AKSHI. Sipas PD, objekti i prokurimit ishte ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile’ me fond limit 3.8 milionë euro e cila u anulua me arsyetimin se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.
Sipas PD, në Tetor 2024 shpallet fituesi SOFT & Solution shpk në pronësi të Ermal Beqiraj me vlerë të ofertës 3.1 mil euro, ndërsa u skualifikuan dy kompani te tjera.
