Sot skadon afati, Alibeaj njofton Celibashin: Basha është dorëhequr, dokumentacioni i paraqitur është i plotë

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur KQZ-së për afatin 48 orë, i cili skadon sot,  për plotësimin e dokumenteve për tu regjistruar në lokalet e 14 majit.

Enkelejd Alibeaj ka njoftuar përmes një letre zyrtare Celibashin, se Lulzim Basha është dorëhequr si kryetar i PD më 21 mars 2022 dhe se  dokumentacioni i paraqitur është i plotë.

Sot, 11 mars, skadon afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi që Partia Demokratike të plotësojë dokumentacionin në mënyrë që të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Sipas vendimit të KQZ, Lulzim Basha do të duhet të firmosë shkresa zyrtare, ndonëse është dorëhequr prej afro 1 viti, pasi në të kundërt rrezikon pjesëmarrjen në zgjedhje.

Kjo vendimmarrje e Celibashit nuk i ka pëlqyer përfaqësuesit ligjor të Lulzim Bashës, i cili paralajmëroi ankimim në KAS.

Duke pasur parasysh deklaratat e fundit të përfaqësuesve më të lartë të Partisë Demokratike si kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj apo Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi partia më e madhe opozitare në vend rrezikon seriozisht regjistrimin për 14 Majin, të paktën nga ana e Celibashit dhe çështja mund të përfundojë për t’u zgjidhur në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, nëse Komisioneri do t’i qëndrojë deklaratës së nuk e kalon pa plotësim dokumentesh.

/albeu.com/


Shtuar 11.03.2023 09:46