Një valë e fuqishme mbështetjeje ka përfshirë familjen Bulku, vetëm pak orë pas përplasjes së ndodhur gjatë protestës së djeshme pranë selisë së Kuvendit. Reagimi erdhi si pasojë e deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me File Bulkun dhe djalin e saj me çrregullim të spektrit autik, Endin.
Përmes një iniciative të hapur në platformën GoFundMe, deri tani janë grumbulluar afërsisht 150 mijë dollarë ndihma.
Të lidhura
None found
Në sqarimin e saj, File Bulku bëri të ditur se në çastin e konfliktit nuk kishte asnjë lidhje me tubimin opozitar, por sapo ishte kthyer nga shoqërimi i të birit në seancën e terapisë. Ajo shpjegoi se rrugët e mbyllura e detyruan të kalonte në afërsi të zonës së tensionuar, ku mbeti e ekspozuar ndaj gazit lotsjellës të shpërndarë nga forcat e rendit.
Ajo hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Rama se ishte instrumentalizuar si “mburojë” nga demonstruesit dhe e sfidoi atë të dilte hapur për t’u përballur publikisht me të vërtetën.
Ndërkaq, kreu i qeverisë e konsideroi si një akt “hipokrizie” solidaritetin e shprehur nga pjesëmarrësit në protestë. Ai i akuzoi ata se e dërguan familjen afër Parlamentit “duke abuzuar me atë grua e me të birin”, një veprim të cilin e krahasoi me metodat e grupeve terroriste.
Në anën tjetër, organizata humanitare “Brandon Forever 22 Legacy” ka marrë nismën për të ofruar ndihmë konkrete për File Bulkun dhe Endin.
Sipas përfaqësuesve të fushatës, çifti i nënë e bir jetojnë në një situatë të vështirë ekonomike dhe shtëpia e tyre ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Fillimisht, objektivi ishte sigurimi i 85 mijë dollarëve për të kryer rikonstruksionin e banesës dhe për të mbuluar shpenzimet e kujdesit e të trajtimit për Endin. Megjithatë, bujaria e qytetarëve e ka tejkaluar ndjeshëm shifrën e parashikuar, duke e çuar totalin e derdhur në rreth 150 mijë dollarë.
Organizatorët i kanë bërë apel opinionit publik që të mos i ndalin donacionet. Ata theksuan se paratë e grumbulluara do të shërbejnë për të transformuar kushtet e jetesës së familjes, si dhe për të siguruar asistencën e duhur afatgjatë për fëmijën me spektër autik.
