Skandali i pagave, Prokuroria vendos nën sekuestro serverin e AKSHI-T

Prokuroria ka sekuestruar serverët e AKSHI-t, Institutit të Sigurimeve Shëndetësore dhe ato të Drejtorisë së Tatimeve.

Këto lëvizje vijnë pas zbulimit të skandalit të djeshëm të publikimit të listës së pagave për 637 mijë qytetarët shqiptarë.

Krahas listës së pagave të muajit janar të këtij viti, ditën e sotme është thelluar skandali pasi ka dalë në qarkullim edhe një databazë tjetër me 60 mijë emra më shumë me pagat e muajit prill. Veç kartës së identitetit, pagës dhe të dhënave të tjera në këtë “file” të publikuar janë edhe numrat e telefonit të qytetarëve.

Ndërkohë kryeministri Rama deklaroi se oragnizatore janë fragmente të caktuara të opozitës, duke etiketuar këtu grupin e Sali Berishës.

Nga ana tjetër Basha dhe Berisha kanë deklaruar se fajtor për këtë skandal është qeveria Rama, e cila sipas tyre i ka përdorur të dhënat për vjedhjen e zgjedhjeve të 25-prillit.

Ndërsa, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, në reagimin e saj siguroi qytetarët se sistemi i mbajtjes së të dhënave personale në e-Albania është i sigurt.

Ajo theksoi se platforma aktualisht mirëmbahet nga Microsoft dhe së shpejti do të futet dhe teknologjia “Blockchain”. Kjo shtoi ajo, do të sigurojë dhe lënien gjurmë të personave që mund të aksesojnë të dhënat personale përmes ndërveprimit të brendshëm./albeu.com/


Shtuar 23.12.2021 17:48