Situata në veri të Kosovës, Sveçla: Nëse KFOR-i nuk vepron, ne do t’i heqim barrikadat

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është rënduar. Andaj ai tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vet.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media në Mitrovicë, duke thënë se kushtet e serbëve, të paraqitura për largimin e barrikadave, janë për të arritur qëllime politike.

Gjatë protestës në Rudarë të Zveçanit, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kosova ka thënë se nuk ka lista me emra të personave që dëshiron të arrestojë dhe po ashtu ka mohuar se në veri janë dërguar njësitë speciale të Policisë.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim./REL/