Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se situata e zjarreve në vend, deri në orën 17:00 të datës 22 Gusht 2026, paraqitet në përmirësim. Disa prej vatrave kryesore janë izoluar ose janë shuar, ndërsa strukturat në terren vijojnë monitorimin e zonave të prekura.
Gjatë ditës u raportuan gjithsej 10 vatra zjarri. Prej tyre, 4 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 6 të tjera ndodhen nën mbikëqyrje.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse. Operacioni mbështetet gjithashtu nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës është evidentuar një përmirësim i ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar, ndërsa ekipet po kontrollojnë vijën e zjarrit për të shmangur riaktivizimin e tyre. Gjatë ditës aty kanë punuar forca të MZSH Pukë, Fushë-Arrëz dhe Kamëz, shërbimi pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë, si edhe 40 efektivë të FA-së. Operacioni është mbështetur nga mjete zjarrfikëse, një ekskavator dhe 2 helikopterë të FA-së.
Në Prozhem të Pukës, zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore. Në ndërhyrje janë përfshirë MZSH-ja, Shërbimi Pyjor dhe banorë të zonës. Era po ndikon në intensitetin e flakëve, por për momentin banesat nuk janë të rrezikuara.
Edhe në aksin Shtanë–Tenë të Mirditës operacioni vazhdon me angazhimin e forcave vendore dhe të Forcave të Armatosura. Sipas të dhënave, nuk paraqitet rrezik për banesat.
Në malin e Dajtit ndërhyrja po vijon me 25 efektivë të MZSH-së, 5 forca të ADZM-së dhe 30 efektivë të FA-së. Për shuarjen e zjarrit po përdoren gjithashtu 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor, ndërsa zonat e banuara nuk janë në rrezik.
Zjarri në Dukat është shuar plotësisht. Vatrat e tjera po monitorohen nga strukturat përgjegjëse të angazhuara në terren.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e ndjek situatën në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, sipas nevojave që mund të diktojë situata. Prioriteti është mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
