Si e vrau tropojani dhëndrin në Gjakovë: Më hodhi ekstazi në pije, pastaj piva lëng hashashi

Col Imeraj nga Tropoja, i cili po qëndronte mysafir në shtëpinë e Ndue Mulajt në Gjakovë, në mes të natës, kishte therur me thikë të zotin e shtëpisë, gruan e tij dhe djalin. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ndodhur e tërë ngjarja.

Col Imeraj nga Tropoja, i cili është familjar i zonjës së shtëpisë, Diturie Mulajt., kishte ardhur në Kosovë për disa kontrolla mjekësore. Në ditën kritike, ai do të kthehej në Shqipëri, por kishte ndërruar mendje në momentet e fundit. Ai kishte kërkuar nga tashmë i ndjeri, Ndue Mulaj, të qëndronte edhe një natë në shtëpinë e tij.

Sipas aktakuzës, Col Imeraj, e ka kryer me dashje gjithë aktin që tronditi familjen Mulaj atë natë, e tërë këtë e kishte bërë derisa të gjithë anëtarët e kësaj familjeje ishin në gjumë. Pasi kishte therur disa herë me thikë Ndoun, Imeraj të njëjtën kishte bërë edhe me bashkëshorten e viktimës, Diturie Mulaj, të cilën e kishte edhe familjare. Imeraj kishte sulmuar me thikë edhe djalin e Ndout, të cilit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Pas krejt këtyre veprimeve që kishte bërë, Col Imeraj kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por ishte kapur nga policia disa orë pas krimit. Në dëshminë e tij, Col Imeraj, kishte deklaruar në shtëpinë e Ndue Mulajt kishte ardhur për shkak se ishte i sëmurë, dhe do të kontrollohej te mjekët në Kosovë.

“Arsyeja që kam ardhur në shtëpinë e Ndout në fshatin Bardhaniq është se kam qenë i sëmurë, kam pasur dhimbje në veshka dhe kam ardhur me qëllim që të shërohem. Sa më kujtohet kam qëndruar 2-3 ditë dhe gjatë kësaj kohe kam shkuar tek mjeku i veshkave, emrin nuk ia di, më ka dërguar Ndou, mjeku më ka caktuar diagnozën dhe terapinë”, ka bërë të ditur Imeraj.

Ai tutje ka deklaruar se gjatë kohës sa kishte qëndruar në shtëpinë e tij, i kishte ndihmuar Ndout rreth punëve me kafshët. Ndërkaq, Imeraj ka deklaruar se gjatë kohës kur po qëndronte në familjen Mulaj, nuk kishte pasur probleme e as mosmarrëveshje me askënd.

Imeraj pretendon se në natën kritike, Ndou i kishte hedhur ekstazi në pije, e kjo thotë të jetë edhe arsyeja e veprimeve të asaj nate. Pas ekstazisë, Imeraj thotë se ka pirë edhe lëng hashashi. Ndërkaq ai deklaron se pasi kishte ikur nga shtëpia ku kishte lënë një person të vdekur e dy të plagosur, kishte shkuar në një shtëpi në të cilën jetonte një plak, të cilit i kishte thënë se është Jezu Krishti.

“Kur kam ikur nga shtëpia e Ndout, kam shkuar tek një shtëpi në fshatin Bardhaniq, nuk e di se si e ka pasur emrin i zoti i shtëpisë por ka qenë një plak me një shtagë, aty kam vazhduar të rri në atë shtëpi dhe aty i kam thënë atij plaku se unë jam “Jezu Krishti” dhe në ndërkohë i kam thënë njërit nga një shtëpi tjetër afër shtëpisë së plakut që ta lajmërojë policinë se e kam kryer veprën, ata nuk më pyetën se çfarë vepre kam kryer dhe menjëherë e kanë lajmëruar policinë dhe policia kanë ardhur në shtëpinë e plakut më kanë marrë dhe nuk e di se ku më kanë dërguar”, ka deklaruar Imeraj.

Ndërkaq armën me të cilën dyshohet se i kishte therur tre anëtarët e familjes Mulaj, Coli ka deklaruar se e kishte fshehur prapa luleve në oborrin e shtëpisë së familjes Mulaj.

Njëri prej të plagosurve ishte edhe Mark Mulaj, djali i viktimës, i cili ka deklaruar se në natën kritike, qentë që kishin në oborr nuk po lehnin, e për këtë, ai hedh dyshime mbi Colin.

“Deri në orën 00:00 kam luajtur futboll e më pas kam shkuar në shtëpi, nuk lehte asnjë qen, në shtëpi i kemi 4 qen të racës Rud, dhe unë mendoj se qenëve iu ka qitur ndonjë lloj substance për të mos lehur, ata qëndronin ditën dhe natën lidhur në një sajlë në oborr, nuk kemi guxuar që t’i lëshojmë asnjëherë”, ka deklaruar Mulaj.

Mulaj ka treguar edhe për momentin kur e ka dëgjuar një krismë, për të cilën kishte menduar se mund të jetë ndonjë derë, pasi ishte duke fryrë erë. Ai ka bërë të ditur se kishte tentuar ta largonte Colin, por në atë moment, ky i fundit e kishte therur me thikë në fytyrë e në krahëror.

“Me të vërejtur se Coli është duke i rënë thikë babit tim, unë e kam shtyrë me duar me qëllim që ta largoj e të mos e godasë, ai përnjëherë më ka përmbledh me thikë në pjesën e parme të fytyrës, duke ma rrokur hundën e buzën dhe pjesën e brendshme të gojës e më pas duke ikur më ka goditur në pjesën e prapme të krahërorit dhe nga ato lëndime më ka rrezikuar jetën”, ka deklaruar Mulaj.

Ai ka deklaruar se në natën kritike, nuk kishte vërejtur ndonjë sjellje të pazakontë te Coli. 23-vjeçari Mark Mulaj kishte marrë lëndime të rënda, për të cilat ishte trajtuar shtatë ditë në spital, e më pas e kishte vazhduar terapinë në shtëpi. Bashkëshortja e viktimës, Diturie Mulaj, e cila Col Imerajn thotë se e ka stërnip, ka treguar për momentet kur ky i fundit kishte hyrë në dhomën e gjumit dhe kishte therur me thikë Ndoun.

Ajo ka bërë të ditur se Coli kishte thënë se do t’i vriste.

“Për një moment e kam vërejtur se Coli e kishte ngritur dorën lartë dhe kishte një thikë, Marku ka dalur nga dera anësore e fermës, pasi ka arritur të dilte nga ferma, unë dhe Marku kemi hyrë bashkë në shtëpi dhe e mbyllëm derën, Coli është afruar tek dera dhe thoshte vazhdimisht “kam për t’ju mbytur””, ka deklaruar ajo.

Diturie Mulaj ka deklaruar se pasi kishte hyrë brenda, e kishte mbuluar me një peshqir bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë, pasi po i rridhte gjaku nga shpina dhe hunda.

“Kam ngjitur në katin e dytë të shtëpisë, duke qenë se ka qenë vetëm me brekë të shkurta e kam mbuluar me një peshqir dhe meqenëse i rridhte gjaku nga shpina dhe hunda”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj dhe dorasi kishin pasur raporte të mira. Ndërkaq vëllai i viktimës, Krist Mulaj, ka deklaruar se i ka tri dyshime se Col Imeraj e ka kryer veprën me paramendim. E babai i Colit, ka deklaruar se raportet e djalit të tij me familjen Mulaj kanë qenë të mira dhe se nuk e di arsyen e veprimit të tij.

“Me sa jam unë në dijeni, ai asnjëherë nuk më ka treguar se ka ndonjë problem me tani të ndjerin Ndoun dhe familjen e tij, nuk e di arsyen e këtij veprimi të tij”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Col Imeraj, po qëndron në paraburgim qysh nga data 7 korrik e vitit 2020. Seanca e parë dëgjimore lidhur me këtë rast do të mbahet të premten e 16 prillit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë./express

 

Shtuar 13.04.2021 06:04