Temperaturat e larta dhe era janë bërë faktorët kyç në intensifikimi e zjarreve dhe rindezjen e vatrave që më parë janë vënë në kontroll në vendin tonë.
Ministria e Mbrojtjes ka informuar rreth situatës së zjarreve në vendin tonë deri në orën 20:00, ku gjatë ditës janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri. Aktualisht janë nën vëzhgim 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë dhe i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Tiranë, puna vijon në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, me angazhimin e MZSH, ADZM, vullnetarëve dhe mbështetje ajrore nga FA. Pavarësisht terrenit dhe përhapjes së mëparshme, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, ndërhyrja e forcave operacionale dhe e FA-së, e mbështetur nga 1 helikopter, ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit në lagjen Abaze nën kontroll, ndërsa në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.
Angazhimi më i madh vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë përqendruar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Falë ndërhyrjes së koordinuar është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera. Në Qafën e Helmes operojnë gjithashtu MZSH, forca bashkiake dhe të njësisë administrative Selishtë.
Në Përmet, vijon puna në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara.
Në Moravë, Devoll, ndërhyrja e MZSH ka bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll.
Në Trojë, Mirditë, operacionit i janë bashkuar edhe 30 efektivë të FA-së, krahas MZSH, forcave bashkiake, policisë dhe vullnetarëve.
Në Shkodër vijon puna në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, ku kjo e fundit po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Kryezi është nën kontroll.
Në Elbasan vijojnë operacionet në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës; në Lugaxhi janë angazhuar MZSH, pyjorja, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, pa rrezik për zonat e banuara të mbështetur nga Forcat e Armatosura.
Ndërkohë, në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll, duke reflektuar efektivitetin e ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri.
