Shqiptarët në RMV të diskriminuar në garat e matematikës?! Markoski: Bëhet fjalë për lëshim teknik, nxënësit po shfrytëzohen

Kanë ardhur të përgatitur për garat e matematikës, por të dëshpëruar po e bojkotojnë këtë garë të organizuar nga Lidhja e Matematicinetëve të Maqedonisë, pasi që të njëjtët nuk ua kanë siguruar testet edhe në gjuhën shqipe.

“Janë përgatit, kanë qenë të gatshëm. Ne prindërit i kemi bërë të gjitha pagesat që është dashur dhe kur erdhëm sot testi është në maqedonisht. Jam shumë e dëshpëruar sepse flitet gjithmonë se ka dygjuhësi por unë nuk po e shoh asnjëherë, as në dokumente të shkollës, të cilët shpesh i kam refuzuar sepse nuk e kuptoj gjuhën maqedonase dhe më takon t’i kemi në gjuhën amtare. Por, pse vjen puna edhe në gara të bëhet ky diskriminim kjo s’është në rregull”, tha Haxhere Hasa, prind.

“Presim që një orë e gjysmë dhe nuk bënë zgjidhje, ne morëm vendim që komplet tre shkollat shqipe në Komunën e Butelit që testin sot ta bojkotojmë sepse nuk ka ekzemplarë në gjuhën shqipe. I tërhoqëm nxënësit, këtu janë edhe prindërit që na përkrahin që t’ia bëjmë me dije organizatorit se këtu ka një përqindje të madhe të shqiptarëve në tre shkolla të Butelit dhe të bëhet organizimi si duhet”, pohoi Salaudin Hamidi, arsimtar.

Nga 155 nxënës gjithsej 80 kanë qenë shqiptarë. Kryetari i Lidhjes së Matematicientëve, Gjorgji Markoski thotë se nuk ka të bëjë me diskriminim, por bëhet fjalë për lëshim teknik.

“Dërgesat kanë qenë të ndryshme. Dërgesa në maqedonisht ka arritur, ajo në shqip është vonuar ose nuk ka arritur. Kanë qenë të dërguara nëpërmjet postës. Mendoj se po shfrytëzohen nxënësit nga ana e arsimtarëve. I kanë detyruar të mos shkojnë në gara me çka mendoj se janë shkelur të drejtat e nxënësve”, deklaroi Gjorgji Markoski – Kryetar I Lidhjes së Matematicientëve

Sa i përket materialeve Markoski tha se në ueb faqen e Lidhjes së Matematicientëve publikohen vetëm temat e garave dhe jo materialet. Ai shtoi se nuk janë institucion shtetëror që të implementojnë dygjuhësinë, por janë vetëm të akredituar për organizimin e garave në matematikë./TV21