Shqipëria në krizë për kamionistë: Po emigrojnë drejt Anglisë

Shqipëria prej 6-muajsh po përballet me mungesë të kamionistëve të cilët po emigrojnë në vendet perëndimore. I kontaktuar me telefon, përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Urban, Ervin Shijaku tha se kjo situatë ka futur në krizë transportin, pasi numri i drejtuesve të mjeteve të tyre sa vjen dhe reduktohet ndjeshëm.

“Sot që flasim ne kemi 62 kamiona të firmës “Shega Trans” pa drejtues, duke sjellë dëm të madh sepse nuk mundet të eksportohet. Çdo dité emigrojnë shoferë kamionësh dhe urbanësh drejt vendeve të zhvilluara sepse ka një rritje të kërkesave për punë për këtë kategori”, thotë Shijaku.

Sipas tij, jo vetëm linjat tokësore ku përfshihen transportet jashtë vendit, por edhe linjat urbane brenda territorit shqiptar, po ndjejnë efektet e krizës së shkaktuar nga emigrimi.

“Unë sot shoh mungesa dhe në linjat e transportit siç është linja Kinostudio-Kombinat. Nëse vazhdohet me këtë ritëm do të detyrohem të reduktoj numrin e urbanëve të linjës”, thotë Shijaku, i cili është edhe përfaqësues i firmës “Shega Trans”.

Gazeta u interesua pranë kësaj firme për pagat e drejtuesve të urbanëve dhe na thanë se sot një drejtues i linjës së urbanëve paguhet 70-80 mijë leke neto në muaj dhe orari i tij zyrtar me dy turne është organizuar në grafikun ditor 06:00-15:00 dhe 15:00-24:00. Ndërsa sipas informacioneve në rrugë informale, mësuam se paga e një kamionisti në Angli është afro 6 mijë paundë.

I gjithë rajoni në krizë për shoferë

Duket se ofertat për punësim jashtë vendit kanë joshur shumë kamionistë edhe nga vendet fqinje me Shqipërinë, patenta e të cilëve shërben dhe për drejtimin e taksive, sektor që ka thithur forca pune nga vendet e rajonit. Shijaku konfirmoi se edhe vende si Maqedonia, Mali i Zi, kanë raportuar për mungesë të drejtuesve të kamioneve dhe urbanëe për shkak po të emigrimit jashtë vendit.

Britania, vendi me kërkesat më të larta për punësim

Situata duket se është rënduar sidomos pas kërkesave të Britanisë së Madhe për drejtues kamionësh, gjatë sezonit të verës.

Përfaqësuesi i “Shega Trans” tha se rrjedhja e kamionistëve nga Shqipëria drejt Anglisë sa vjen dhe shtohet, për shkak të ofertave joshëse të këtij shteti për pagë e kontratë pune afatgjatë.

Në muajin shtator të këtij viti, Anglia raportonte për 100 mijë shoferë kamionësh që duhet t’i punësonte, për shkak se marketet në Britaninë e Madhe po mbeteshin gjithnjë e më shpesh pa furnizuar dhe raftet e tyre ishin bosh.

Duke qenë se ky profesion është i paragjykuar nga të rinjtë në Britani, pasi shihet si punë për njerëz “të rëndomtë” e “endacakë”, mesa duket rajoni i Ballkanit ka qenë depozita për të mbushur nevojat për krahë pune në këtë sektor

Kriza e shoferave, rriti çmimet e biletave

Prej dy muash, çmimi i biletës në transportin tokësor konkretisht linjat tokësore të urbanëve drejt Evropës, kanë pësuar rritje prej 10 përqind. Këtë e konfirmojnë dhe të dhënat më të fundit të INSTAT, për indeksin e çmimeve të konsumit referuar muajit nëntor 2021. Sipas INSTAT, pas çmimeve të ushqimeve, transporti është zëri i dytë që ka pësuar rritje çmimi, ku duket se jo vetëm rritja e çmimit të naftës por dhe mungesa e drejtuesve të linjave interurbane, janë shkaku i rritjes së biletave, duke rënduar direkt në xhepin e qytetarëve.(si)


Shtuar 14.12.2021 17:08