Në vitin 2025, Shqipëria regjistroi përqindjen më të lartë në Europë të shpenzimeve për ushqime në raport me madhësinë e ekonomisë.
Shpenzimet nominale për produkte ushqimore arritën në 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që përbën afërsisht një të pestën e ekonomisë. Mesatarja e Bashkimit Europian, ndërkohë, ishte vetëm 6.2%.
Të lidhura
None found
Dallimi vërehet edhe në krahasimin me vendet e rajonit. Në Malin e Zi, shpenzimet për ushqime përbënin 19.9% të PBB-së, në Bosnjë-Hercegovinë 19.1%, në Maqedoninë e Veriut 17.9%, ndërsa në Serbi 12.8%.
Kjo peshë e lartë lidhet kryesisht me të ardhurat e ulëta. Familjet që kanë mundësi më të kufizuara financiare orientohen në masë të madhe drejt përmbushjes së nevojave bazë, ku ushqimi zë vendin kryesor.
Në ekonomitë me të ardhura më të larta, pas mbulimit të nevojave ushqimore, një pjesë më e madhe e buxhetit mund të përdoret për strehim, transport, shëndetësi, arsim, kulturë, argëtim dhe kursime.
Konsumi individual për frymë në Shqipëri, i llogaritur sipas fuqisë blerëse, është në nivelin e 48% të mesatares së BE-së, ndërsa të ardhurat për frymë arrijnë në vetëm 43% të mesatares europiane.
Pavarësisht kësaj, pesha e shpenzimeve për ushqime ndaj ekonomisë është më shumë se tri herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, vlera e shpenzimeve për ushqime në Shqipëri arrin në 5.1 miliardë euro.
Analiza sipas kategorive tregon se disa produkte bazë kanë peshë veçanërisht të lartë në ekonominë shqiptare. Shqipëria renditet e para në Europë për shpenzimet për qumështin dhe nënproduktet e tij, vajrat dhe yndyrnat, si edhe zarzavatet.
Kategoria “qumësht, produkte të tjera të bulmetit dhe vezë” përbënte rreth 4.5% të PBB-së së Shqipërisë në vitin 2025. Në Bashkimin Europian, mesatarja për këtë grup ishte 1% dhe asnjë vend tjetër në tabelën europiane nuk rezultonte me një peshë më të madhe.
Në Bosnjë-Hercegovinë, ky grup përfaqësonte 4.2% të PBB-së, në Malin e Zi 3.5%, në Maqedoninë e Veriut 3.4% dhe në Serbi 2.2%. Në Greqi, pesha ishte 1.7%, ndërsa në Itali 1.2%.
Kështu, qumështi, bulmeti dhe vezët kanë në ekonominë shqiptare një peshë 4.5 herë më të lartë se mesatarja e BE-së.
Nuk ka të dhëna që të dëshmojnë se shqiptarët konsumojnë më shumë produkte bulmeti se Europa. Hendeku duket se lidhet më tepër me çmimet e larta të kësaj kategorie.
Gjatë vitit 2025, Shqipëria shënoi indeksin 135.6 për qumështin, produktet e bulmetit dhe vezët, kundrejt mesatares 100 të BE-së.
Çmimet ishin 35.6% mbi mesataren europiane, duke e vendosur Shqipërinë në vendin e tretë ndër vendet më të shtrenjta të Europës për këtë grup. Në vlerë, shpenzimet për qumështin, bulmetin dhe vezët ishin 1.1 miliardë euro.
Krahasuar me rajonin, diferenca ishte edhe më e theksuar. Indeksi për këtë grup ishte 107.1 në Serbi, 95 në Malin e Zi, 92 në Bosnjë-Hercegovinë dhe 89.6 në Maqedoninë e Veriut. Konsumatorët shqiptarë i blinin këto produkte rreth 27% më shtrenjtë se serbët, 43% më shtrenjtë se malazezët dhe mbi 50% më shtrenjtë se konsumatorët në Maqedoninë e Veriut.
Edhe vajrat dhe yndyrnat shënojnë një ndryshim të madh. Në Shqipëri, kjo kategori zinte 1.4% të PBB-së, ndërsa në Bashkimin Europian vetëm 0.2%.
Në raport me madhësinë e ekonomisë, shpenzimet shqiptare për këto produkte ishin shtatë herë më të larta se mesatarja e BE-së. Vlera e shpenzimit ishte 356 milionë euro.
Shqipëria kishte peshën më të lartë edhe në këtë grup mes vendeve europiane të përfshira në tabelë. Në Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut, vajrat dhe yndyrnat përbënin 0.6% të PBB-së, ndërsa në Serbi 0.4%. Greqia, e cila rezultonte relativisht e lartë kundrejt mesatares së BE-së, ishte në nivelin 0.7%.
Në vitin 2025, çmimet e vajrave dhe yndyrnave në Shqipëri ishin gjithashtu mbi mesataren europiane. Indeksi i tyre arriti në 112.5, pra 12.5% mbi mesataren e BE-së.
Megjithatë, Shqipëria nuk ishte vendi më i shtrenjtë në rajon për këtë kategori, pasi Serbia kishte indeksin 128.4 dhe Mali i Zi 119.4. Bosnjë-Hercegovina regjistroi indeksin 99.2, ndërsa Maqedonia e Veriut 95.
Zarzavatet përbëjnë një tjetër kategori me peshë të pazakontë. Grupi që Eurostat e klasifikon si “zarzavate, zhardhokë, banane gatimi dhe bishtajore” përfaqësonte 3.9% të PBB-së shqiptare në vitin 2025, pothuajse pesë herë më shumë se mesatarja prej 0.8% e Bashkimit Europian. Për këtë grup shpenzohen afërsisht 1 miliardë euro në vit.
Shqipëria e ndante nivelin më të lartë me Maqedoninë e Veriut, ku zarzavatet përfaqësonin po 3.9% të PBB-së. Në Bosnjë-Hercegovinë pesha ishte 1.7%, në Malin e Zi 1.6%, në Serbi 1.4%, në Greqi po 1.4% dhe në Itali 1.2%.
Ndryshe nga rasti i bulmetit dhe vajrave, çmimet e zarzavateve në Shqipëri qëndronin nën mesataren e BE-së, por ishin dukshëm më të larta se në shumicën e vendeve të rajonit.
Indeksi i çmimeve për zarzavatet ishte 91.2, pothuajse në të njëjtin nivel me Serbinë, ku ishte 91. Megjithatë, çmimet në Shqipëri rezultonin rreth 20% më të larta se në Bosnjë-Hercegovinë, 22% më të larta se në Malin e Zi dhe 27% më të larta se në Maqedoninë e Veriut.
Mishi mbetet produkti që përthith pjesën më të madhe të shpenzimeve ushqimore në Shqipëri. Kategoria e mishit dhe produkteve të kafshëve të therura zinte 4.7% të PBB-së, përballë mesatares 1.3% në BE. Kjo peshë ishte rreth 3.6 herë më e lartë se niveli mesatar europian, ndërsa shpenzimi në vlerë arrinte gati 1.2 miliardë euro.
Në rajon, vetëm Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kishin peshë më të madhe për mishin, me nga 5.6% të PBB-së. Serbia regjistroi 3.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut 3.4%.
Në aspektin e çmimeve, mishi në Shqipëri ishte vetëm 2% më i lirë se mesatarja e BE-së, me indeks 98, por ishte më i shtrenjti në rajon. Indeksi ishte 86.1 në Serbi, 83 në Bosnjë-Hercegovinë, 77.6 në Maqedoninë e Veriut dhe 71 në Malin e Zi.
Edhe frutat dhe arrat zinin një peshë dukshëm më të madhe në ekonominë shqiptare sesa në Bashkimin Europian. Shpenzimet për këtë kategori përfaqësonin 1.9% të PBB-së, kundrejt 0.5% në BE, ose gati katër herë më shumë. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kishin peshë më të lartë, me nga 2.3%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina ishte në 1.7% dhe Serbia në 1%.
Çmimet e frutave dhe arrave në Shqipëri ishin në nivelin 92.1% të mesatares së BE-së. Megjithatë, diferenca me tregjet më të lira të rajonit ishte e konsiderueshme: indeksi ishte 71.2 në Bosnjë-Hercegovinë dhe 52.4 në Maqedoninë e Veriut.
Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, frutat dhe arrat në Shqipëri kushtonin rreth 76% më shumë. Për drithërat dhe produktet e tyre, shpenzimet ishin 2.1% e PBB-së, mbi dy herë më shumë se mesatarja 1% e BE-së. Në këtë kategori, Shqipëria nuk ishte e para në rajon, pasi Mali i Zi arrinte në 3.5%.
Bosnjë-Hercegovina regjistroi 2.7%, Maqedonia e Veriut 2.5% dhe Serbia 2.2%.
Pesha e lartë e ushqimeve në ekonominë shqiptare shoqërohet tashmë edhe me një zhvillim tjetër. Për herë të parë në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri kaloi mesataren e Bashkimit Europian.
Indeksi i ushqimeve arriti në 102.9, ose 2.9% mbi mesataren e BE-së. Një vit më parë ishte 99.6, ndërsa në vitin 2022 ishte rreth 85. Shqipëria është i vetmi vend i rajonit ku çmimet e ushqimeve kanë tejkaluar mesataren europiane. Serbia, e dyta më e shtrenjtë, kishte indeksin 96.6, Mali i Zi 84.6, Bosnjë-Hercegovina 84.6 dhe Maqedonia e Veriut 74.3.
Kur llogariten së bashku ushqimet dhe pijet joalkoolike, indeksi i Shqipërisë ngjitet në 103.8. Në Serbi ai ishte 97.1, në Malin e Zi 86.5, në Bosnjë-Hercegovinë 85.8 dhe në Maqedoninë e Veriut 74.8.
Në Shqipëri, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë rreth 7% më shumë se në Serbi, 20% më shumë se në Malin e Zi, 21% më shumë se në Bosnjë-Hercegovinë dhe gati 39% më shumë se në Maqedoninë e Veriut.
Nga 12 grupet e detajuara të ushqimeve që publikon Eurostat, çmimet në Shqipëri janë mbi mesataren e Bashkimit Europian në gjysmën e tyre. Në këtë grup bëjnë pjesë qumështi dhe produktet e bulmetit, vajrat dhe yndyrnat, sheqeri dhe ëmbëlsirat, pijet joalkoolike, si edhe ushqimet e gatshme. Mishi dhe peshku, ndërkohë, janë pranë nivelit mesatar europian.
Pijet joalkoolike, për të cilat Shqipëria shpenzon 1.4% të PBB-së kundrejt 0.6% në BE, kishin indeks çmimesh 114.3 në vitin 2025. Ky nivel ishte 14.3% mbi mesataren europiane dhe më i larti në rajon.
Indeksi për sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë ishte 123.1, ose 23.1% mbi mesataren e BE-së. Ndërsa ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore arritën indeksin 128.2, duke qenë 28.2% më të shtrenjta se mesatarja europiane.
